Policia e Tiranës ka publikuar masat që do të marrë “për sigurimin e rendit dhe të qetësisë si dhe garantimin e sigurisë në zhvillimin e ndeshjes Shqipëri-Serbi.
Policia njofton se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore. Duke filluar nga ora 17:00-20:00, më 7 tetor, segmenti rrugor bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga “Ura e Lanës” në sheshin “Skëndërbej” do të qëndrojë i bllokuar. Bllokim segmenti përkohësisht do të ketë nga “Rinasi”, “Qafë Kashari”, në autostradën Tiranë-Durrës, si dhe rrugët dytësore, duke vijuar te mbikalimi i Kamzës, rruga “Dritan Hoxha”, rruga “29-Nëntori”, “Rruga e Durrësit”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ismail Qemali” deri te rruga e “Elbasanit”.
Nuk do të lejohet parkimi i automjeteve dhe nuk do të lejohet kalimi i këmbësorëve pranë Hotel “Sheraton’’ dhe Univeristetit të Arteve si dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në sheshin “Italia”.
Bllokimi do të vazhdojë në të gjitha segmentet të cilat lidhen me Hotel “Sheratonin”.
Në datë 8 tetor, nga ora 12:00-19:00 do të bllokohet segmenti rrugor nga rruga “Dervish Hima”, “Rruga e Elbasanit”, tuneli i Elbasanit, ku nuk do të lejohen kalimi mjeteve deri në përfundim të aktivitetit sportiv në Elbasan.
Drejtoria e Tiranës kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe gjithë përdoruesve të rrugës të shmangin kalimin në segmentet e përcaktuara si edhe të përdorin aksin rrugor nga autostrada për të mbërritur në qytetin e Elbasanit.
Top Channel