Dhoma Amerikane e Tregtisë mbështet aksionin kundër informalitetit, por i tërheq vëmendjen qeverisë se masat represive nuk janë rruga e vetme për ta luftuar atë. Në një intervistë për Top Channel, presidenti i kësaj dhome Mark Crawford thotë se qeveria duhet të jetë më pak e ashpër ndaj biznesit.
“Kur kapet uji nuk kapet me grusht, po pak më butë me kovë. Nëse qeveria shkon me grusht, nuk kapen ata që duhet të kapen nga pikëpamja e të ardhurave të. Mbase një aksion kundër informalitetit që është më i butë, ose që ka më shumë sens pozitiv do të jetë i mirëprirut, po do të shohim rezultatin”, thotë Crawford.
Sipas tij, nëse autoritetet do të fokusohen vetëm tek forca kjo mund të sjellë një rezultat të padëshirueshëm .
“Nëse shkojmë dhe bëjmë presionin nga ata që nuk kanë më për të paguar dhe vëmë gjobë tek ata që nuk kanë para për të paguar, nuk është se do të rrisim ekonominë. Ne duhet të shohim se si mund të gjejmë burime të reja për të rritur ekonominë, si mund të marrim investime të reja, si mund të qarkullojmë më shpejt paranë që është në bankë”, vijon Presidenti i DHAT-së për Top Channel.
Aksioni kundër informalitetit në terren është shoqëruar edhe me ashpërsimin e masave ligjore ndëshkuese. Crawford thotë se disa prej tyre mund të jenë kundëproduktive duke goditur ekonominë.
“Nëse bankat ndjejnë që nëse japin kredi mund të shkojnë në burg, nëse japin kredi në një kompani që kanë dy bilance. Nëse shteti është shumë i ashpër me gjobat, qoftë me bankat, qoftë me bizneset e vogla, mund të jetë një pengesë për investim dhe qarkullimin e parasë”, vijon ai.
Dhoma Amerikane ka qenë një nga organizatat e para të biznesit, që ka listuar evazionin e lartë si një nga problemet më të mëdha në ekonomi. Crawford thotë se Dhoma vazhdon të jetë një mbështetëse e fuqishme e luftës ndaj informalitetit, por i kërkon qeverisë të bëjë kujdes që të mos godasë ekonominë.
Top Channel