Ministrat e Financave të Eurozonës i bënë thirrje Athinës të hënën që të implementojë sa më parë reformat e forta në kuadër të ndihmës së saj, në një kohë kur parashikimet e reja tregojnë se ekonomia helene do të jetë në reçesion edhe në 2016.

Në takimin e zhvilluar në Luksemburg, për herë të parë që nga rizgjedhja e Tsipras në zgjedhjet e parakohshme të 20 shtatorit, shefat e financave të zonës së monedhës së përbashkët ranë dakord mbi një listë reformash, të cilat duhen implementuar shpejt nga Athina në mënyrë që të zhbllokohet kësti i radhës i ndihmës prej 86 miliardë euro.

Finalizimi i listës vjen në një kohë kur Athina publikoi projektbuxhetin që tregon një rimëkëmbje të lehtë të ekonomisë që pritet të marrë jetë në tremujorin e tretë të 2016-s.

Parashikimet flasin për një kontraktim të prodhimit me 1.3 për qind për gjithë 2016-n, pas një rënieje prej 2.3 për qind që ishte në 2015.

“Rivendosja e stabilitetit ekonomik dhe borxhit publik është një nga objektivat tanë, për t’u çliruar nga mbikëqyrja e kreditorëve”, deklaroi kryeministri Alexis Tsipras në Parlament, që u mblodh të hënën për herë të parë pas zgjedhjeve të 20 shtatorit.

“Na duhet të bëjmë shumë punë në muajt e ardhshëm, ndaj dhe është shumë e rëndësishme të ruajmë unitetin”, tha nga ana tjetër Jeroen Dijsselbloem, shef i ministrave të Financave të Eurogrupit, të mbledhur në Luksemburg.

Ai tha se, ministrat aprovuan një listë me reforma, të cilat ai shpreson se do të implementohen përpara gjysmës së parë të tetorit, në mënyrë që të jepet drita jeshile për këstin e radhës. Ristrukturimi i borxhit është një nga kërkesat kyçe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA