Mbledhja e komisionit të jashtëm parlamentar me zyrtarë të dikasterit të diplomacisë lidhur me marrëdhëniet e qeverisë me OSBE-në dhe Këshillin e Europës i ka shërbyer demokratëve të rikthejnë çështjen e raportit të qeverisë, veçanërisht me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim.
Deputeti Aldo Bumçi deklaroi se marrëdhënia jonë me OSBE-në ka mbërritur në pikën më të ulët historike, duke dhënë si argument mungesën e përfaqësimit tonë në këtë organizatë në nivel ambasadori, pas kthimit të Spiro Koçit përmes një shkrese të Ministrisë së Jashtme, përmes të cilës, tha ai ambasadorit i është ndërprerë edhe rroga.
“Tërheqja e ambasadorit është një akt i rëndë. Shqipëria s’ka ambasador në OSBE, në një kohë kur presidenca e të cilës kryesohet nga Serbia. Gjithashtu, presidenti është zhveshur nga e drejta kushtetuese, që e bën atë personin e vetëm që dekreton apo shkarkon çdo ambasador. Kjo është gjendja ku ka degraduar diplomacia shqiptare dhe kjo qeveri”, deklaroi Bumçi.
Por përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, sikundër edhe kryetarja e komisionit dhe delegacionit tonë në OSBE, deklaruan se marrëdhënia me organizatën është mëse bashkëpunese.
“Rritja e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, në misionin e OSBE-së, si dhe marrja e statusit të vendit kandidat për në BE kanë sjellë një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet me OSBE-në”, deklaroi Sokol Gjoka, drejtor pranë Ministrisë së Jashtme.
“Ne do vazhdojmë të luajmë një rol parësor në OSBE dhe misionet e tjera”, tha më tej kryetarja e komisionit, Arta Dade.
Shkëmbimi i qëndrimeve të të dyja palëve nuk u bë në të njëjtën tryezë, pasi opozita u largua nga komisioni. Shkak këtë herë u bë një debat i kryetares Dade me një përfaqësues të medias, të cilit ajo i tërhoqi vëmendjen se po xhironte një raport konfidencial të Ministrisë së Jashtme, debat pas të cilit media u largua nga salla dhe opozita gjithashtu.
Por, ndërsa një pjesë e medias u kthye në komision, opozita nuk bëri të njëjtën gjë. “Shpreh keqardhjen që deputetët e opozitës kanë humbur rrugën dhe toruan. Ata nuk kanë argumente dhe vijnë të papërgatitur”, e komentoi vendimin e tyre kryetarja e komisionit, Arta Dade.
Top Channel