Rama, takim me grupin organizativ të zgjedhjeve të 2017-s

05/10/2015 09:45

Kryeministri Edi Rama e ka nisur javën me një takim organizativ në selinë e Partisë Socialiste. Për rreth 60 minuta, Rama drejtoi mbledhjen e “Grupit për organizmin dhe Koordinimin e Fushatës elektorale të 2017”, ku morën pjesë ministrat Tahiri, Çuçi, Klosi dhe Nikolla, së bashku me disa deputetë dhe kryebashkiakët Leli, Veliaj dhe Dako.

Burime nga mbledhja i thanë Top Channel-it se anëtarët e këtij grupi kanë raportuar ecurinë e përgatitjeve në bazë për zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkohë, duke dalë nga selia e PS-së, kryeministri Rama, pyetjeve për diskutimet në mbledhje, u ka dhënë të njëjtën përgjigje si ditët e tjera: heshtje.

Mospërgjigja e Ramës nëse aleati Meta i ka kërkuar ndryshime në qeveri e shton misterin e takimeve mes Ramës dhe Metës, i fundit ai në Kryesinë e Kuvendit, pasditen e së shtunës. Top Channel, duke iu referuar burimeve jozyrtare, raportoi të shtunën se në takim Rama-Meta në shtator, aleati i LSI-së ka kërkuar ndryshime të disa portofoleve ministrorë. Nuk dihet sa kjo kërkesë është marrë parasysh apo është refuzuar.

Disa deputetë socialistë, të kontaktuar nga Top Channel, shprehen se janë kundra ndryshimeve në qeveri, pavarësisht se ato mund të jenë kërkuar nga aleati Meta. Pas takimit të fundit me Metën, kryeministri Rama i uroi gazetarëve një fundjavë të qetë, por sot që ka nisur java e re, lind pyetja: a do të jetë ajo politikisht e qetë për kryeministrin?

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA