Maqedonia: Sulmet ruse në Siri do të rrisin fluksin e azilkërkuesve

05/10/2015 17:00

Drejtuesit e Qendrës për Menaxhimin e Krizave në Shkup presin që sulmet ajrore të ushtrisë ruse në Siri të ndikojnë në rritjen e fluksit të emigrantëve në Maqedoni.

Sipas të dhënave të fundit, vetëm të dielën në vend kanë hyrë rreth 3.000 emigrantë nga Lindja e Mesme dhe autoritetet në Shkup presin që kjo shifër të rritet gjatë ditëve në vijim.

“Të gjitha informacionet dhe parashikimet flasin se Maqedonia mund të ballafaqohet edhe me një fluks më të madh të emigrantëve, sepse Maqedonia është korridori kryesor tranzitor”, ka deklaruar Suzana Saliu, drejtoreshë e QMK-së.

Problemet nga kriza e emigrantëve pritet të shtohen me uljen e temperaturave. Drejtuesja e Qendrës për Menaxhimin e Krizave thotë se po përgatiten për këtë situatë, por sipas tyre problem kryesor përbën gjendja financiare në vend.

“Maqedonia ka kapacitete të ballafaqohet eventualisht me 5.000 refugjatë në ditë dhe po mendojmë seriozisht për përshtatjen e kushteve dimërore. Për Maqedoninë, si një vend i vogël dhe i varfër, paraqesin problem serioz financat”, ka thënë më tej Saliu.

Sipas të dhënave që publikoi QMK, nga fillimi i vitit nëpër Maqedoni kanë kaluar tranzit rreth 200 mijë refugjatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA