Komisioni “Junker” publikon me një javë vonesë paketën e tij të parë të Zgjerimit. Megjithëse 14 Tetori deklarohej prej muajsh si data e caktuar, Komisioni Europian vendosi në çastin e fundit për të shtyrë publikimin e kësaj pakete, që përmban raportet e progresit për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të rajonit e Turqinë.
Shkaku për mospublikimin në kohë të raporteve mësohet të jetë fluksi i refugjatëve dhe axhenda e ngjeshur e BE-së mbi këtë çështje javën e ardhshme, që kulmon me mbajtjen e samitit europian më 15 dhe 16 Tetor.
Burime konfidenciale pranë ekzekutivit europian rrëfyen për Top Channel se “Kolegji i Komisionerëve nuk e ka përfshirë ende Paketën e Zgjerimit në rendin e ditës së 14 Tetorit dhe me gjasë, vendimi për miratimin e saj mbetet për në mbledhjen e radhës, të mërkurën, më 21 Tetor.”
Zyrtarisht, kjo shtyrje u konfirmua dhe nga zëdhënsja Koçijançiç, por arsyet sipas saj lidhen me vëmendjen e duhur të medias dhe publikut mbi paketën, siç thuhet në një njoftim të posaçëm për shtyp.
“Kjo është paketa e parë e zgjerimit për Komisionin ‘Junker’. Paketa përfshin për herë të parë një strategji afatmesme dhe raportet për vendet do të kenë një paraqitje të ndryshme nga e kaluara. Ekziston një interes i fortë i Presidentit dhe i gjithë Kolegjit se paketa duhet të marrë vëmendjen e merituar të medias dhe publikut. Në këtë kuadër, meqënëse mblidhet Këshilli Europian javën e ardhshme, i cili do të ketë një fokus të fortë mbi emigracionin, paketa preferohet që të paraqitet një javë më vonë për të siguruar vëmendjen e merituar publike dhe të medias”, thotë Koçijançiç.
Kjo është hera e parë që Komisioni Europian njofton me kaq vonesë për shtyrjen e miratimit të paketës së Zgjerimit.
Top Channel