Homazhet në nder të Simon Gjetës, krerët e shtetit kritika drejtësisë

05/10/2015 00:00

“Jo ndëshkim i merituar, por ndëshkim i dakordësuar”, është shprehur ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në fjalën e mbajtur gjatë homazheve për nënkomisarin Simon Gjeta. Ai ka akuzuar gjyqësorin se lë të lirë kriminelët, referuar edhe ngjarjes së javës së kaluar në Tiranë, ku mbetën të vrarë dy të rinj.

“Çfarë ndëshkimi merituar merr krimi kur punonjësit e drejtësisë janë përballë me persona që drejtësia nuk i dënon por i lë të lirë po aq herë. Simoni humbi jetën po shumë të tjerë janë të kërcënuar përditë me jetën e tyre dhe akoma më shumë me shpirtin dhe besimin nga drejtësia që jep tepër rrallë ndëshkimin e merituar. Para pak ditësh, dy të rinj u arrestuan nga policia se vranë në mes të Tiranës dy të rinj të tjerë, por shumë pak e dinë se autorët e kësaj ngjarje ishin arrestuar vetëm pak muaj më parë nga policia dhe ishin lënë të lirë nga drejtësia. Morrën ndëshkimin e dakordësuar. Ky është vetëm një ndër mijëra shembuj që na sjell kaq shpesh para syve kronikën e zezë të padrejtësisë me gjyqtarë të korrptuar që nuk vrasin përditë, po vrasin besimin përditë”, tha Tahiri.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, pasi shprehu solidaritetin për familjarët dhe kolegët e Simonit, deklaroi se sakrifica sublime e tij nuk do të harrohet. Sikurse ministri Tahiri, edhe kreu i Parlamentit nënvizoi se, reforma në drejtësi do t’u japë përgjigjen e merituar kriminelëve.

“Shprehim solidaritetin me familjarët e Simonit, por dhe me kolegët e tij që sakrifikojnë çdo ditë për ta bërë jetën e shqiptarëve më të sigurtë, duke u përballur heroikisht me të keqen, kriminelët dhe shkelësit e ligjit. Është njerëzore dhe detyrim të jemi sot së bashku, por është më e rëndësishme të bashkohemi në luftën ndaj së keqes. Të ndalim këtë hemoragji që kërcënon sigurinë dhe të ardhmen e vendit dhe fëmijëve tanë. Ndaj, familjarëve të Simonit u garantojmë se sakrifica e tij jo vetëm që nuk do të harrohet, por do të shërbejë si këmbanë kujtese për të ndërmarrë çdo veprim ligjor që garanton jetën e qytetarëve dhe sigurinë publike. Dhe mbi të gjitha për të realizuar reformën në drejtësi, në mënyrë që drejtësia të jetë shembullore ndaj gjithë kriminelëve e shkelësve të ligjit. Kolegëve të Simonit i garantojmë se do bëjmë gjithçka për t’i mbështetur në këtë luftë të vështirë që kërkon sakrifica të mëdha. Shteti do të veprojë me gjithë forcën e ligjit për të çuar para drejtësisë këdo që tenton ta shkelë atë. Përulemi me respekt ndaj këtij dëshmori të atdheut”, deklaroi Meta.

Edhe kryeministri Edi Rama, duke vlerësuar maksimalisht sakrificën e Simon Gjetës, theksoi se ajo do të shërbejë për të çuar përpara “rilindjen e Policisë së Shtetit”. Kreu i qeverisë tha gjithashtu se, reformat e ndërmarra nga kabineti i tij do të ripërtërijnë sistemin e drejtësisë, të dëmtuar sipas tij nga dekada në tranzicion.

“Pa asnjë dyshim gjaku i tij nuk do të bëhet ujë, por do të shërbejë për të prazmuar më tutje shpirtin, zemrën dhe mendjen e një policie shteti të rilindur, që me mbështetjen e palëkundur të qeverisë do ta thyejë plotësisht fuqinë që krimi akumuloi në dekadat e tranzicionit e që po e shohim të dobësohet dita ditës. Jam i bindur po ashtu se policia e shtetit po rritet përditë jo vetëm falë mbështetjes që po merr nga shoqëria dhe qeveria, por edhe falë këtyre sakrificave të jashtëzakonshme. Policia do të rritet dhe do t’i këpusë të gjitha fijet politike, ekonomike, financiare dhe mbi të gjitha gjyqësore që e kanë ushqyer e vazhdojnë ta ushqejnë krimin. Fitorja në luftën ndaj krimit dhe rivendosja e pozicioneve natyrale mes shtetit dhe krimit është sa e vështirë, aq edhe e sigurtë dhe sot ka një arsye më shumë që është po aq e thjeshtë, sa ishte e thjeshtë jeta e simon gjetës. Sepse kur policia e shtetit nuk është e tradhëtuar dhe kur në këtë luftë qeveria ia krijon policisë mundësitë për të përballur njerëzit e thjeshtë të këtij vendi me kriminelë nga më të rregjurit e deri tek më ordinerët, nga ata që janë të armatosur me cekicin e gjykatësit deri tek ata me armë vrastare, nuk ka asnjë dyshim se fitorja anon nga shteti dhe shoqëria”, dekalroi Rama.

Ndërsa kryetari i PD, Lulzim Basha, në një prononcim për mediat pas homazheve tha se është koha që drejtuesit politikë të Ministrisë së Brendshme t’i kthehen moralitetit. Ai siguroi punonjësit e Policisë së Shtetit se ai personalisht dhe Partia Demokarike kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë krah tyre “në përballjen dhëmb për dhëmb” me krimin ordiner dhe atë të organizuar.

“Zotimi im në një ditë si kjo, që qofshin sa më të pakta, është rikthimi i drejtimit politik të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit në parametrat që meritojnë efektivët që ditë për ditë gjenden në vijën e zjarrit me krimin dhe kriminelët. Shkëputja totale e çdo lidhje kriminale me kupolën drejtuese të Ministrisë së Brendshme, dhënia e një modeli europian të përkushtuar ashtu siç e meritojnë efektivat tanë, ashtu siç e meritojnë të gjithë ata që i shërbejnë ligjit, rendit dhe sigurisë së qytetarëve”, deklaroi Basha.

“U prehtë në paqe komandant Simon Gjeta! Ngushëllimet më të ndjera për familjen dhe kolegët e tij!”, u shpreh ai. 

Më herët presidenti Nishani i akordoi komandant Gjetës Dekoratën e Artë të Shqiponjës, duke vlerësuar kontributin dhe heroizmin e tij.

“Në vlerësim dhe nderim të thellë për përkushtimin e rrallë, devotshmërinë e pashembullt, heroizmin stoik të treguar në radhët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë deri në sakrificën sublime të dhënies së jetës gjatë luftës pakompromis kundër krimit dhe mbrojtjes së rendit dhe zbatimit të ligjit”, thuhet në motivacionin e dekoratës.

Pas ceremonisë, arkivoli me trupin e nënkomisar Gjetës iu drejtua Varrezave të Dëshmorëve të Kombit. Kortezhi i gjatë e përcolli atë mes lotëve dhe dhimbjes, por dhe respektit për detyrën e kryer ndër vite.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA