Rama-Meta, kokë më kokë për 90 minuta; dy aleatët ndahen në heshtje

03/10/2015 17:45

Ashtu sikurse pritej të ndodhte, kryeministri Edi Rama menjëherë sapo ka mbërritur nga Nju Jorku është takuar me aleatin Ilir Meta në Kryesinë e Kuvendit.

Situata politike në vend, pakënaqësitë e lindura brenda koalicionit qeveritar me zhvillime të shumta për çështjen e CEZ, që kulmoi në Parlament me rrëzimin e një kërkese të opozitës për hetim ndërkombëtar, besohet se ka qenë në qendër të bashkëbisedimit të dy aleatëve.

As Kuvendi dhe as qeveria nuk japin detaje për takimin, por thuhet vetëm se ai ka zgjatur 90 minuta dhe ishte i qetë.

Por nuk përjashtohet mundësia që pjesë kryesore e diskutimit ka qenë sheshimi i dyshimeve dhe pakënaqësive të aleatit Meta dhe ajo se si do të vijohet me çështjen e CEZ, tashmë e politizuar dhe e cilësuar nga Meta si një “sulm mafioz” ndaj tij.

Ky është takimi i dytë mes dy aleatëve pas atij në fillim të muajit shtator. Por, natyrisht, më i rëndësishmi i muajve të fundit pas asaj çfarë ndodhi në Shqipëri në dy javët kur Edi Rama vizitoi Nju Jorkun dhe pakënaqësive apo qëndrimeve të shfaqura edhe publikisht nga gjithë përbërja e LSI-së në ditët kur Meta ndodhej në qendër te furtunës së çështjes CEZ.

Mbetet me interes për t’u parë në ditët në vijim nëse Ilir Meta do të artikulojë publikisht kërkesën e shprehur Ramës në lidhje me ndryshimet në qeveri.

Burime të pakonfirmura i kanë thënë Top Channel se në takimin e shtatorit Meta i ka kërkuar kryeministrit ndryshimin e disa ministrave, kërkesë që është refuzuar nga Rama.

Ndërkohë, pas largimit të shefit të qeverisë nga zyra e kryetarit të Kuvendit, aty ka mbërritur ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA