PD akuzon Ramën dhe Beqajn: Pazare për shëndetësinë

03/10/2015 13:00

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi është shprehur se qeveria ka bërë biznes me shëndetin. Sipas saj, vetëm në muajt e parë të 2015 janë 15 miliardë lekë të dhëna me prokurim të drejtpërdrejtë, ndërkohë që gjendja e spitaleve është katastrofike.

“Për vitin 2014, janë dhënë mbi 20 miliardë lekë pa shpallje, pa transparence. Për vitin 2015, deri tani që flasim janë 15 miliardë lekë të dhëna me prokurim të drejtpërdrejtë. Pra siç e shihni janë deri më sot mbi 35 miliardë lekë të nxjerra nga arka e shtetit prej Edi Ramës përmes Ilir Beqës, nën emërtimin shëndetësi, ndërkohë që spitalet janë në gjendje katastrofike, në kushte alarmante, mungojnë ilaçet, mungojnë paisjet. Nuk gjenden as shiringa, doreza, pambuk, as alkool për të kryer një operacion. Dhe shpesh spitalet tona nuk kanë as drita. Pra ku kanë shkuar këto para? Eshtë shumë e thjeshtë. Janë ndarë me klientelën qeveritare, për t’u kthyer në llogari bankare, para e luks, vila e pushime përrallore për një grusht njerëzish, ndërkohë që shendetësia është në ditën e saj më të keqe, dhe qytetarët shqiptarë lusin zotin të mos shkojnë në dyert e spitaleve. Ky biznes kriminal me jetën e shqiptarëve, është bërë përmes një mekanizmi gjithashtu kriminal. Pa garë, pa tender që synon kursimin me marrjen e ofertës më të ulët. Miliardat janë dorovitur në fitues të paracaktuar në fondin e tyre limit”, deklaroi Vokshi.

Partia Demokratike përsërit kërkesën për Prokurorin e Përgjithshëm, që të nisë hetimet për korrupsionin në shëndetësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA