Kryesia e Partisë Demokratike ka marrë disa vendime, që kanë të bëjnë me përgatitjen e kësaj partie për një përballje elektorale me mazhorancën aktuale, duke përgatitur një ofertë qeverisëse për shqiptarët.
Në mbyllje të mbledhjes, ishte kryetari Basha, ai që bëri të ditur disa prej këtyre vendimeve.
“Jemi të vendosur të nxjerrim mësimet tona me qëllim përmirësimin në nivel organizativ të strukturës, nga seksioni në qendër, dhe përgatitjen e fuqishme për përballjen e ardhshme politike, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, në të cilat Partia Demokratike do të shkojë si një parti e fuqizuar në numrin e anëtarëve, ndjekësve, të rinjve e të rejave, grave e burrave demokratë, dhe me një program e ofertë bindëse për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza”, u shpreh kreu i opozitës, Basha.
Kryesia e Partisë Demokratike vendosi edhe kouptimin në kryesi të doktor Halim Kosovës dhe të Arben Imamit, gjithashtu edhe të kryetarëve të bashkive qendër qarku, që rezultojnë të jenë kryebashkiakët e Shkodrës, Lezhës dhe Kukësit.
Në fund, kryetari i PD kishte edhe një koment për takimin Rama-Meta, që ndodhi pak orë më herët në Selinë e Kuvendit.
“Është fare normale që bashkëfajtorët të takohen, të rakordohen, të puthen e përqafohen, nesër ndoshta të pështyhen, e pastaj sërish të puthen. Kjo është puna e tyre, këtë kanë bërë për dy vite. Një gjë nuk e kanë bërë, sepse kanë harruar hallet e qytetarëve dhe e kanë bërë kapicë politikën e tyre të kërbaçit, lakut në fyt, korrupsionit më masiv në histori dhe inkriminimin e politikës”, përfundoi Basha.
Top Channel