Rama, në OKB: Njohja e Kosovës ndihmon Serbinë

02/10/2015 17:30

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje të gjitha shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të njohin pavarësinë e Kosovës, duke kontribuar, siç u shpreh ai, në forcimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

“Dhe më lejoni t’ju bëj thirrje këtu, të gjithë atyre midis jush që ende nuk e kanë njohur Kosovën, për ta bërë këtë. Duke e njohur Kosovën, japin një kontribut të drejtpërdrejtë për forcimin e stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit në një rajon që vitin e kaluar u shndërrua në një histori të rëndësishme suksesi, i shpresave dhe ëndrrave të së ardhmes, që mbizotërojnë mbi frikën dhe ankthet e së kaluarës. Njohja e plotë e Kosovës nga të gjitha kombet e kësaj Asambleje do të jetë diçka e mirë edhe për Serbinë”, deklaroi Rama.

Gjatë fjalës që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kryeministri u ndal edhe tek vizita e tij një vit më parë në Beograd.

“Vjet, unë isha i pari kryeministër shqiptar që vizitoi Beogradin, pas 68 vjetësh. Nga Samiti i Vjenës për Ballkanin në gusht të 2015-s, rajoni ynë është duke zhvilluar me sukses një sërë bashkëpunimesh, përfshirë atë në fushën e shkëmbimeve rinore, të promovuar nga Shqipëria dhe Serbia, të frymëzuar nga modeli i shkëmbimeve rinore mes Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore”, tha Rama.

Ky model, sipas kryeministrit, do të edukojë të rinjtë me atë që historia na ka mësuar. “Se është më mirë të vlerësojmë dallimet tona dhe jo t’i luftojmë ato; të mësojnë nga e kaluara jonë dhe jo të jetojmë në të, pavarësisht vendit, gjuhës, ngjyrës, fesë dhe besimit”, shtoi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA