FIFA zbulon 59 kandidatët për Topin e Artë 2015

02/10/2015 10:50

FIFA ka zbuluar emrat e 59 kandidatëve në garë për trofeun e Topit të Artë. Skuadra kampione e Evropës në fuqi, Barcelona, përfaqësohet në këtë listë me 7 futbollistë dhe bëhet fjalë për Messi, Mascherano, Neymar, Suarez, Bravo, Rakitic dhe Iniesta.

Edhe nënkampionët e Juventusit kanë përfaqësuesit në këtë listë, por një pjesë e tyre janë larguar nga Torino. Vidal, Tevez dhe Pirlo, të cilët tashmë kanë kaluar te Bayern Munchen, Boca Juniors dhe New York City janë mes 59 kandidatëve për Topin e Artë, ashtu sikurse edhe Chiellini, Pogba dhe Morata. Ajo që të bie në sy është se FIFA ka lënë jashtë portierin e kampionëve të Italisë, Gianluigi Buffon.

Mjaft mirë prezantohen në këtë listë paraprake edhe Real Madrid e Bayern Munchen. Skuadra “merengue” përfaqësohet nga Cristiano Ronaldo, Gareth Bale, Luka Modric, Karim Benzema, Toni Kroos, Sergio Ramos dhe James Rodriguez; ndërsa skuadra kampione e Gjermanisë ka në këtë fazë të garës për Topin e Artë lojtarët Alaba, Muller, Neuer, Lewandowski dhe Robben. 

Pas disa javësh, specialistë të futbollit do të përcaktojnë 23 emrat e futbollistëve që do të vijojnë këtë garë, ndërsa në dhjetor do të zbulohen edhe 3 finalistët.

Ceremonia e dorëzimit të Topit të Artë do të zhvillohet në 11 janarin e vitit 2016, në Zyrih të Zvicrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA