Skënderbeu do të luajë sot në orën 19:00 sfidën e dytë në Grupin H të Europa League, atë me Lokomotivën e Moskës, për t’u bërë në të njëjtën kohë edhe skuadra e parë shqiptare pas 52 vitesh që përballet me një klub rus.
Për kapitenin e kampionëve të Shqipërisë, Bledi Shkëmbi, kjo sfidë do të shërbejë si eksperiencë për skuadrën korçare.
“Ne jemi të lumtur që jemi në fazën e grupeve të Europa League. Do të luajmë ndaj Lokomotivës së Moskës, një kundërshtar i fortë, pasi e kemi ndjekur në sfidën e fundit. Lokomotiva luan mirë nga krahët dhe ka një sulm agresiv. Ne i mirëpresim këto takime, pasi ndikojnë në rritjen e nivelit të lojtarëve tanë në aspektin individual dhe grupit në tërësi. Ne do të përpiqemi të arrijmë rezultatin më të mirë të mundshëm”, deklaroi Shkëmbi.
Ndeshja mes Lokomotivës së Moskës dhe Skënderbeut do të luhet në stadiumin “Lokomotiv” dhe do të gjykohet nga arbitri izraelit Orel Grinfeld.
Top Channel