Maqedoni, skadon afati; nuk arrihet marrëveshje ndërpartiake

01/10/2015 13:15

Sipas marrëveshjes ndërpartiake për daljen e Maqedonisë nga kriza, deri më 30 shtator, palët duhej të arrinin pajtueshmëri lidhur me përbërjen dhe kompetencat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Por mediat raportojnë se përpos shkeljes së afatit dhe mosarritjes së pajtueshmërisë, partitë kanë qëndrime të kundërta për të gjitha çështjet e hapura që kanë të bëjnë me zgjedhjet, si për Komisionin Shtetëror Zgjedhor, listën zgjedhore, votimin e diasporës dhe modelin zgjedhor.

Burime nga grupet punuese bëjnë të ditur se bisedimet përballen me shumë vështirësi, kështu që nuk pritet të arrihet një zgjidhje e shpejtë edhe për çështjet e tjera.

Mes këtyre të fundit janë bisedimet për mediat dhe për Komisionin Anketues Parlamentar që do të merret me përgjegjësinë politike për skandalin e përgjimit të bisedave telefonike.

Ndërkohë, opozita maqedonase akuzon qeverinë e Gruevskit se, teksa vazhdon bisedimet me partitë, ajo bën ndryshime ligjore, duke tentuar kështu të marrë kompetencat e zëvendës ministrit të Financave, i cili me propozim të LSDM-së do të emërohet në atë post më 20 tetor.

Top Channel