Jenson Button do të jetë pjesë e Botërorit të Formulës 1 edhe për vitin e ardhshëm. Lajmi është zyrtarizuar nga drejtuesit e McLaren, të cilët shuan përfundimisht zërat për një tërheqje të pilotit britanik.
“Javët e fundit kam folur me Jenson për të ardhmen e tij dhe jam shumë i kënaqur që bashkëpunimi ynë do të vazhdojë. Button është aktualisht piloti me më shumë eksperiencë në Formulën 1 dhe vitin e ardhshëm ai do të bëhet piloti i tretë me më shumë gara të zhvilluara pas Barrichello dhe Schumacher”, tha Ron Dennis në një konferencë për shtyp.
Edhe vetë Button është shprehur i kënaqur që do të jetë pjesë e McLaren edhe në vitin 2016, ndërkohë që shpjegoi edhe arsyet që e shtynë atë që të qëndrojë te skuadra britanike.
“Është e vërtetë që e mendova tërheqjen nga Formula 1, por më pas fola me Ron Dennis dhe ai më bindi që të vazhdoj të garoj me McLaren dhe unë jam shumë i kënaqur. Këtë vit kemi pasur shumë vështirësi, por unë kam besim te McLaren sepse ka një projekt të madh. Mezi pres që të nis sezonin e ri në Formulën 1”, deklaroi Button.
Top Channel