Jahjaga në Uashington, takime në Kongresin amerikan

01/10/2015 13:50

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga u prit të enjten në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington, ku u takua me anëtarët e lartë të Komitetit për Çështjet e Jashtme, të kryesuar nga kongresmeni Ed Royce dhe anëtari i lartë Eliot Engel, njofton zyra e Presidencës.

Presidentja Jahjaga, duke falenderuar kongresmenët amerikanë për përkrahjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për Kosovën, theksoi se Kosova është e lirë dhe e pavarur për shkak të ndihmës dhe përkrahjes së Kongresit amerikan.

Presidentja Jahjaga njoftoi kongresmenët për reformat e brendshme, konsolidimin e demokracisë së Kosovës dhe forcimin e sovranitetit.

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave për të tërhequr investitorët e huaj, reforma këto që duhet të shoqërohen me një luftë të paprecedentë kundër korrupsionit.

Kryetarja e shtetit raportoi edhe për rrjedhën e dialogut me Serbinë dhe arritjen e marrëveshjeve të fundit me të. Ajo theksoi rëndësinë e vazhdimit të përkrahjes së Shteteve të Bashkuara për dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në këtë proces.

Presidentja Jahjaga kërkoi ndërkohë vazhdimin e përkrahjes së Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke nënvizuar se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.

Nga ana e tyre, kongresmenët Royce dhe Engel vlerësuan se Kosova tashmë është një histori suksesi dhe ritheksuan përkrahjen e plotë të Amerikës ndaj aspiratave të saj euro-atlantike, zbatimin e reformave demokratike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, thuhet më tej në njoftimin e Presidencës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA