Investimet e huaja në Shqipëri, 26% e stokut nga kompani greke

01/10/2015 15:30

Megjithë krizën e thellë ekonomike që po kalon prej më shumë se gjashtë vitesh, Greqia mbetet investitori më i madh i huaj në Shqipëri.

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se në fund të vitit 2014 stoku i investimeve të huaja që janë realizuar ndër vite, ose ndryshe asetet totale të ekonomisë që zotërohen nga të huajt, ishte rreth 4 miliardë e 553 milionë euro.

Banka e Shqipërisë thotë se 26 për qind e këtij stoku, ose mbi 1.1 miliard euro, i përkasin kompanive greke. Përveçse ka stokun më të madh kumulativ të investimeve në ekonominë shqiptare, Greqia vazhdon të jetë edhe investitori më i madh korrent.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar investimet e huaja direkte ishin 869 milionë euro. Nga këto, 121 milionë euro ose 14 për qind ishin kapitale me origjinë greke, një tregues i cili ilustron ndikimin e madh që ekonomia helene ka mbi atë shqiptare.

Pas Greqisë investitori i dytë më i madh në Shqipëri është Kandaja, me 17 për qind të totalit, ndërsa në vendin e tretë vjen Italia, e cila zë 12 për qind në stokun e investimeve.

Por cilët sektorë janë më të preferuarit për kompanitë e huaja. Të dhënat tregojnë se sektori me investimet më të mëdha nga jashtë është transporti dhe telekomunikacioni, i cili ka thithur 27 për qind të totalit të kapitalave që kanë hyrë nga jashtë.

Në vendin e dytë është sektori financiar me 17 për qind dhe në vendin e tretë vjen industria nxjerrëse e cila ka marrë 15 për qind të investimeve të huaja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA