Ndeshja e eliminatoreve të Euro 2016 mes Shqipërisë dhe Serbisë përjetohet me hijen e ngjarjes së 14 tetorit të vitit të kaluar, aq sa ka bërë që zyrtarë të qeverisë serbe të kenë frikë se mund të përsëriten skena të atilla.
Por, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mendon të qetësojë të gjithë duke deklaruar se në Elbasan nuk do të ndodhë asnjë incident.
“Ne po punojmë shumë që në “Elbasan Arena” të shohim një tjetër ndeshje nga ajo e organizuar në Beograd. Skuadra e Serbisë dhe stafi që do të udhëtojnë me të do të priten me shumë respekt. Ne shpresojmë që kjo ndeshje të jetë një hap më shumë në riparimin e raporteve mes 2 vendeve”, tha Armand Duka në një intervistë për median serbe.
Shqipëria aktualisht ndodhet në vendin e tretë në Grupin I, por ajo shpreson për një kualifikim direkt në Francë duke qenë se ka edhe 2 ndeshje në dispozicion, me Serbinë që do të kërkojë të bëhet pengesë.
“E di që çdo tifoz serb dëshiron që skuadra e tyre të na prishë punë, por duhet të pranoj se ne ia komplikuam gjërat vetes me golin e pësuar në fund në sfidën me Portugalinë. Gjithsesi, ne kemi ende shanse kualifikimi, pasi kemi këtë përballje me Serbinë dhe atë me Armeninë”, vijoi Duka.
Në fund, Armand Duka bëri një apel në drejtim të futbollistëve të të dyja skuadrave që të kenë një sjellje sa më korrekte në fushë dhe të jenë ambasadorë të paqes në “Elbasan Arena”.
Top Channel