PD, Pollo: Edi Rama inkriminoi Arkivën e Shtetit

29/09/2015 10:45

Partia Demokratike akuzon kryeministrin se ka inkriminuar edhe Arkivën e Shtetit. Genc Pollo, deputet i PD-së u shpreh se kreu aktual i Arkivit Qendror të Shtetit, Gjet Ndoji, në vitin 2000 është përjashtuar nga radhët e policisë për një sërë akuzash.

“Aty Edi Rama ka emëruar një ish-major policie, Gjet Ndojin, i cili në vitin 2000 është përjashtuar nga radhët e Policisë për; mospastrim të radhëve nga të inkriminuarit, përgjegjësi për grabitjen e Bankës, përgjegjësi për vjedhjen e makinave, përgjegjësi për shkelje në zyrën e pasaportave dhe vizave. Të gjitha këto zullume ky major i ka bërë kur ishte kryesisht si shef i komisariatit të Kukësit dhe për këtë është përjashtuar nga Policia me motivacionin që lexova nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Spartak Poçi.  Pavarësisht kësaj të kaluare, pavarësisht se është kryetar partie, ç’ka e  ndalon specifikisht ligji i Arkivave, neni 90 i tij, u shpërblye nga rilindistët si Drejtor i Përgjithshëm Arkivës Qendrore të Shtetit”, tha Pollo.

Ai denoncoi edhe largimin e 51 arkivistëve me përvojë që u zëvendësuan nga të afërm të Ndojit. “Prandaj është shumë e rëndësishme që një orë e më parë të miratohet një ligj për dekriminalizimin, jo me dyer dhe dritare që të kalojnë gjetot e Edit, por në mënyrë strikte dhe rigoroze të miratohet sa më parë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”, përfundoi Pollo.  

FOTO GALERI
1/1

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA