Meta takon Nishanin dhe Idrizin: Jam malësor, nuk më trembin intrigat moçalore

29/09/2015 12:15

Një ditë pas letrës që bëri jo pak habi të kreut të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, për një skenar destabiliteti në vend, Ilir Meta është thirrur në takim nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. 

Takimi që është mbajtur larg vëmendjes mediatike në Presidencë, mësohet se nuk ka zgjatur shumë, por nuk është zbardhur nga asnjë nga institucionet që drejtojnë Nishani e Meta. Burimet pohojnë vetëm se është folur për çështje të ditës. Me të tilla nënkuptohen çështjet e dala së fundmi në skenën politike shqiptare, pas skandalit për afera korruptive me kompaninë CEZ e për të cilën kreu i Komisionit të Sigurisë një ditë më parë ngriti alarmin për trazira.

Mesa duket, për këtë qëndrim të deputetit të LSI-së, Bujar Nishani ka kërkuar të informohet më shumë nga kreu i kësaj partie, Ilir Meta.

Në kundërshtim nga takimi jomediatik me Nishanin, atë me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, Ilir Meta e ka mbajtur vetëm pak orë më pas e vetëm pak metra më tutje nga Presidenca, në një nga hotelet e njohura në Tiranë për bisedime, negociata apo skenarë politikë.

Kryetari i Parlamentit ka qenë në praninë e këshilltarit të tij, ndërsa Shpëtim Idrizi nuk shoqërohej nga asnjë zyrtar i forcës së tij politike. 40 minuta më pas, Ilir Meta e ka kaluar me një batutë jo pak domethënëse arsyen e takimeve të tij me Nishanin e më pas me Idrizin: “Problemi është të mos takohesh, jo të takohesh”.
 
Kreu i LSI-së deklaroi mbështetjen e plotë ndaj propozimit të Sali Berishës për hetim ndërkombëtar të CEZ-it, por bëri sërish diversion mes qëndrimeve të ish-kryeministrit dhe kryetarit aktual të demokratëve, duke dëshmuar qartësisht se në bindjen e tij, tashmë mes Berishës dhe Bashës ka diferenca të qarta, e ai është pro të parit.

“Janë gjëra të ndryshme ajo që ka kërkuar i pafajshmi Basha dhe ajo që ka kërkuar Berisha. Unë mbështes kërkesën e zotit Berisha për hetim ndërkombëtar, ndërsa zoti Basha kërkon mos hetim ndërkombëtar“, tha Basha.

Por, në ndryshim nga herët e tjera, Ilir Meta nuk përgënjeshtroi përmbajtjen e letrës së Spartak Brahos, as nuk i tërhoqi vëmendjen për të, por vetëm shmangu komentet: “Nuk hyj në kompetencat e zotit Braho“.

Deri këtu, Ilir Meta ishte spontan në përgjigje, por nuk kishte lënë pa menduar përgjigjen ndaj pyetjes së pritshme të gazetarëve, nëse ka një komplot politik ndaj tij: “Me qetësi dhe dashuri ju them që origjina ime e fortë malore nuk shqetësohet nga asnjë lloj intrige moçalore“.

Top Channel