Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi që të enjten më 1 tetor të vazhdojë seanca e ndërprerë javën e kaluar, por pa pikën për raportimin e kryeministrit Isa Mustafa për marrëveshjet me Serbinë.
Në këtë mbledhje të Kryesisë, të cilën e bojkotoi opozita, u vendos që Kuvendi të mbajë edhe një seancë të re plenare të premten, ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli i ftoi deputetët e opozitës që të jenë të pranishëm në seancë.
“Nuk dua ta besoj se ka pasur bojkot. Është e vërtetë se, sot nuk e kemi praninë e përfaqësuesve të opozitës, por derisa nuk kemi ndonjë deklarim zyrtar të tyre, nuk do të dëshiroja ta quaja të tillë. Ky është vendi, ku ata duhet të jenë. Ky është vendi i përbashkët, si kur pajtohemi, edhe kur nuk pajtohemi. Duhet ta themi fare hapur – e ripërsëris edhe njëherë, – në mënyrën që të na dëgjojnë edhe qytetarët e vendit tonë dhe të gjykojnë për të gjitha vendimet tona”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit.
Veseli tha se ai nuk ka mandat për të ftuar një tryezë të përbashkët të liderëve për të diskutuar për krizën politike në vend, por për një gjë të tillë ftoi presidenten Atifete Jahjaga.
“Do të ishte mirë që veçanërisht nga presidentja e vendit të kemi një ftesë të tillë, në mënyrë që liderët politikë të bisedojnë. Ka se çfarë të bisedohet, në mënyrë që të tejkalohet çdo keqkuptim i mundshëm. Kjo është mënyra më e mirë për t’u dërguar mesazh edhe atyre që na duanë, por edhe atyre që nuk na duan”, deklaroi Veseli.
Kryesia e Kuvendit shqyrtoi edhe kërkesën e deputetëve të partisë së Ramush Haradinajt, të cilët kishin kërkuar formimin e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar pasurinë e Murat Mehës, udhëheqës i grupit të punuës për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Por kryeparlamentari Kadri Veseli tha se Murat Meha është shërbyes civil dhe Kuvendi nuk ka mandat ta hetojë, ndërsa ftiu deputetët që nëse kanë argumente t’i paraqesin ati në organet e drejtësisë që kanë kompetencat për hetime të tilla.
Top Channel