CEZ, Berisha: Vetoja çeke, një farsë. Rama të pranojë hetimin e huaj

29/09/2015 12:50

Ish-kryeministri Sali Berisha, duke folur në lidhje me aferën e CEZ, ka hedhur poshtë zërat se Republika Çeke e kishte kushtëzuar marrëveshjen me qeverinë shqiptare me vendosjen e vetos në dhënien e statusit të vendit kandidat.

Në një bashkëbisedim me gazetarët të zhvilluar paraditen e së martës, Berisha ka komentuar edhe deklaratat e një dite më parë të kreut të Sekretariatit të Energjisë, Janez Kopac.

“Çekia asnjëherë nuk kishte paralajmëruar një vendim politik për një çështje tregtare. Fakti që Kopac deklaron se dy orë mbrapa Çekia tërhoqi veton, tregon qe ky ka qenë një pazar i fëlliqur i Edi Ramës prej dhjetëra milionë euro, koston e të cilit e paguajnë shqiptarët”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka bërë me dije se, gjatë kohës që ishte në pushtet, “kërkesës së palës çeke për ta zgjidhur me pajtim çështjen, në takimin e Vjenës iu përgjigjëm prerazi jo”.

“Sepse pala çeke kërkoi që ne të jepnim 85 milionë euro; u zotua që DIA dhe afera e saj të merrej përsipër nga pala çeke, s’kishte asgjë me Shqipërinë ajo. Ishte një kompani e kontraktuar nga CEZ dhe e dërguar për ndjekje penale nga qeveria ime”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, “gjithçka u rrokullis sipas xhepave të Edi Ramës dhe aleancës së qelbësirave, që e përdorën çështjen e CEZ-it për pazaret e tyre”.

“I bëj thirrje Edi Ramës që të pranojë hetimin ndërkombëtar për këtë aferë, nga dita e parë e ardhjes së CEZ në Shqipëri e deri në firmosjen e marrëveshjes fatëzezë”, ka shtuar Berisha, i cili ka vlerësuar kërkesën e Ilir Metës për hetim ndërkombëtar të çështjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA