Basha: Vetoja çeke, justifikimi i Ramës për 600 mln eurot

29/09/2015 18:20

Deklaratën e fundit të kryeministrit Edi Rama për marrëveshjen me CEZ-in, Lulzim Basha e interpreton si justifikim për të fshehur përfshirjen e tij në “mega-aferën e CEZ”.

“I falëm CEZ-it 600 milionë euro se Çekia mund të vendoste veton për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian! Ky është justifikimi më i fundit i Edi Ramës. Po a nuk ishte Edi Rama që bllokoi statusin e vendit kandidat për kryetarin e Qarkut të Fierit? Më i rëndësishëm kreu i Qarkut Fier se 600 milionë euro të shqiptarëve?! Nëse do të ishte kaq i interesuar për statusin, Edi Rama nuk e bllokonte tre vjet me radhë”, shkruan në rrjetet sociale kreu i PD-së.

Basha thotë se “veto” është argument për mega-aferën e CEZ.

“600 milionë eurot e shqiptarëve janë falur dhe ndarë. Gjithçka tjetër është përrallë e kokoshit 200 milionësh. Por, nuk e ha më njeri këtë çorbë. Do t’i shkojmë deri në fund kësaj afere. Këto janë lekët e shqiptarëve të cilët sot po burgosen e shtyhen drejt vetëvrasjes për 2000 lekë”, mbyll komentin e tij Basha.

Top Channel