Raporti përfundimtar për zgjedhjet lokale nuk ka një përkufizim nëse ato i përmbushën standardet demokratike, por kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, tha se ky ishte raporti mëi keq i zgjedhjeve që prej vitit 2003. Konkluzioni i parë më i rëndë sipas Lulzim Bashës është se në Shqipëri nuk u mbajtën zgjedhje të lira e të ndershme.
“Togfjalëshi: “zgjedhje të lira e të ndershme” është zhdukur dhe nuk figuron në raport. Kjo, sepse qeveria zhbëri dhe dhunoi standardet themelore të zgjedhjeve, duke shënuar kështu një rrëshqitje mbrapa të demokracisë shqiptare”, deklaroi Basha.
Standartet për të cilat flet kryetari i opozitës janë “vota e lirë pa frikë nga ndëshkimi” dhe “ndarja e shtetit nga partia”. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet thotë se të dy këto parime të kartës së Kopenhagenit, dokumentit themelor për të drejtat e njeriut, u shkelën gjatë zgjedhjeve, respektivisht kur burimet shtetërore u vunë në shërbim të kandidatëve të koalicionit qeveritar dhe kur nëpunësit publikë u kërcënuan me humbjen e vendit të punës, nëse nuk merrnin pjesë në aktivitetet zgjedhore të koalicionit qeveritar.
“Zhbërja e standarteve themelore të zgjedhjeve si liria e votës, dhe standarteve të tjera, nuk erdhi për shkak të mungesës së legjislacionit, as thjesht prej mungesës së vullnetit për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por për shkak të vullnetit të dyshes Rama-Meta për të mos bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të kapur pushtetin me çdo çmim e me çdo mjet.Ky raport sjell prova dhe fakte se me 21 qershor nuk pati garë dhe konkurencë alternativash, por shteti u ndesh me qytetarët dhe me opozitën. Pra jo garë mes partive, por shteti kundër qytetarëve”, tha Basha.
Për të mbështetur këto konkluzione Lulzim Basha iu referua me detaje çdo pjese kritike të raportit përfundimtar të zgjedhjeve dhe u fokusua tek akuzat për blerjen e votave, si vullnet i dyshesh Rama-Meta për të kapur çdo pushtet në vend.
“Ky është refreni i poshtërimit të qytetarëve, i shkatërrimit të zgjedhjeve, i zgjedhjeve fasadë, ku rezultatin u vendos nga kërcënimet, shitblerja masive e votës, mbushja e kutive, dhuna e pushtetit dhe bandave kriminale të lidhura me të. Edi Rama dhe Ilir Meta janë sot publikisht nën akuzë se e kanë kthyer vendin pas në ditët më të errëta, pa zgjedhje, pa votë të lirë të sovranit. Përballë kësaj makinerie të inkriminuar, Partia Demokratike është e vendosur të qëndrojë me çdo forcë e çdo mjet. Beteja për zgjedhjet do të bëhet deri në fund dhe çdokush që ka prekur votën e qytetarit do të mbajë përgjegjësi”, përfundoi Basha.
Top Channel