I thirrur në një seancë dëgjimore për arsimin profesional në komisionin e medias, ministri i Mirëqënies Blendi Klosi tha se qeveria e ka sfidë transformimin e këtij sistemi parauniversitar për të rinjtë.
“Në kuadër të procesit të BE-së ne nuk mund të pranojmë që të kemi një integrim të qëndrueshëm të Shqipërisë, nëse ne nuk prodhojmë në mënyrë konstante kuadro të kualifikuar. Mendojmë që mund të realizojmë një integrim të qëndrueshëm të Shqipërisë nëse forca e punës shqiptare nuk është konkurrente me partnerët e saj europianë, apo tregun ndërkombëtar të punës”, u shpreh ministri Blendi Klosi.
Duke e pranuar se Shqipëria është ende larg kërkesave të kohës, ministri Klosi vlerësoi se orientimi i të rinjve drejt arsimit profesional si dhe rritja e vëmendjes është një përpjekje kombëtare.
“A jemi aty ku duhet? Pa dyshim që nuk jemi aty ku duhet. A duhet të bëjmë më shumë? Pa dyshim që duhet të bëjmë më shumë. A është përpjekje e majtë apo e djathtë? Kjo nuk është një përpjekje e majtë apo e djathtë, po një përpjekje kombëtare”, u shpreh Klosi.
Qeveria po punon për njohjen e diplomave profesionale në tregun europian, por siç tha ministri, synimi nuk është forcimi i këtij tregu pune.
“Po përpiqemi të profilizojmë në zanatet që tregu europian i punës kërkon. Qëllimi jonë nuk është të forcojmë tregun europian të punës, po tregun shqiptar të punës. Për këtë po përpiqemi shumë, që të jemi në përputhje me biznesin përsa i përket shkollave të arsimit të mesëm profesional”, u shpreh Klosi.
Që prej ardhjes në pushtet të majtët e shpallën prioritet zhvillimin e arsimit profesional. Në dy vitet e para, kërkesat për të ndjekur sistemin parauniversitar profesional janë rritur nga 14 në 22 përqind.
Top Channel