Mbi 5 mijë refugjatë po mbërrijnë përditë në Greqi dhe fluksi mund të vazhdojë edhe gjatë dimrit, nëse moti mbetet i qëndrueshëm dhe kufijtë të hapur, ka paralajmëruar Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin.
Në stacionin e metrosë poshtë sheshit Victoria të Athinës, familje të shumta afgane qëndrojnë të shtrirë në kartona apo në çadra të improvizuara.
Aktualisht raportohet se autoritetet greke mund t’i lëvizin të gjithë ata në një nga parqet e vjetra olimpike, në periferitë jugore.
Është e pashmangshme që numri i refugjatëve dhe emigrantëve në këtë stacion dhe të tjera të kryeqytetit helen të shtohet.
“Afganët nuk do të ndalen para asgjëje, përkundrazi do të vijnë gjithnjë e më shumë”, thotë për mikrofonin e BBC Abdullah, një refugjat afgan.
Rreth gjysmë milion emigrantë, shumica nga Siria dhe nga zonat e tjera të përfshira nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, kanë mbërritur në Evropë këtë vit.
Top Channel