Aleksandër Çipa – Marrëdhënia mes Politikës dhe Drejtësisë në vendin tonë gjithmonë më sjell në kujtesë një përballje të rrëfyer mes një profesori nga Gjirokastra dhe një kolegu të tij nga Shkodra gjatë periudhës së komunizmit. Të dy profesorët ishin popullorë në fushat e tyre, por sa herë përballeshin nëpër korridoret e Ministrisë së Arsimit të atëhershëm, për shkak të të folmes dialektore ngatërronin drejtshqiptimin e emrit. Njëri quhej Hamit dhe tjetri Mite. Profesor Mitja i drejtohej profesor Hamitit: “Hamdi ç’kemi?” Kolegu dhe miku i vet, i gjegjej. “Miku im Mite, mos ma ndrysho njat’emën, se nëse unë qes gabim një germë në emrin tat, ke me qelb tanë ministrinë!”
Natyrisht analogjia është e thjeshtë. Drejtësia në këtë vend ndër të tjera është ajo që është, sepse politika ka qenë ajo që dimë e njohim. Këto ditë, kur politika po promovon me hir dhe me pahir një debat për dekriminalizimin dhe reformimin e drejtësisë, lehtësisht po shpaloset pikërisht ndërkallja e raporteve dhe e konfliktit të interesit që dy pushtetet kanë ndër vedi.
Politika kërkon dekriminalizimin dhe diplomacia ndërkombëtare, si etapë të parë për këtë katarsis, ka provokuar vetëreagimin, vetëpastrimin dhe vetëtërheqjen. Një proces që ka nisur, por kurrsesi nuk mund të jetë i kryeshëm vetvetiu dhe plotësisht (!). Aq më tepër me një kastë politike që ka qeverisur gjatë, në një kohë pa emër dhe në një shtet me kusure të anarkisë dhe të kaosit. Kërkohet një operacion i ndërgjegjshëm nga ata që kurrë ndërgjegje nuk kanë dëshmuar!
Sipërmarrjet aktuale të Kryeministrit Rama, njëra e panisur, tjetra e saposipërmarrë, përkatësisht reforma në drejtësi dhe ajo antiinformalitet, nuk janë kafshatë e lehtë. Kjo është një sipërmarrje që natyrshëm, domosdoshmëri ka aleancën dhe sidomos, vullnetin politik të spektrit partiak kryesor të vendit. Por kjo së pari, ka kriter bazë përfshirjen e ndërgjegjshme për të reformuar dhe lindur një ndërgjegje dhe së dyti, besimin që vijueshmërisht është i munguar mes udhëheqësve dhe palëve partiake.
Ndërgjegjja ligjore, ajo formale dhe sidomos ndërgjegjja antikrim ka qenë në dëshminë e vet munguese mbi 20 vjet, në këtë vend. Kjo kastë politike e braktisi e para, e demagogjizoi dhe e zhvleftësoi ndërgjegjen morale dhe atë ligjore në Shqipërinë “e tranzicionit”. Kjo shuarje apo “burgosje” apo injorim i kësaj ndërgjegjeje, natyrisht është një qëllim i fuqishëm që u mishërua në një kohë afatgjatë në këtë vend. Përkimet dhe qasjet për mishërimin e kësaj vrasjeje dhe shuarjeje të ndërgjegjes morale kanë për gjurmë përzënien dhe lënien e “trurit të shoqërisë” vetëm në alternativën e arratisë nëpër emigrime, rrënimin dhe bjerrjen e pashoqe të kulturës, shkollës dhe sidomos edukimit. Gjurmë tjetër është lumpenizimi i qeverisjes në shumë nivele, i përfaqësimit në të gjitha “me nder lartësitë e rrënimit” etj. Pavarësisht kësaj dhe sidomos edhe pse po nismohet një betejë masive antiinformaliteti, sërish është gati utopike të besohet se Kryeministri Rama do t’ia dalë plotësisht. Ai po tenton me forcën e ligjit dhe me forcë autoriteti prej administratori, të rrënjosë e pse jo edhe të instalojë, ndërgjegjen formale në qytetarët e këtij vendi. Për t’u bërë kjo, nevojiten të dyja: së pari Drejtësia dhe së pari po Politika. Në një shoqëri tjetër do të kishte një rend të natyrshëm, do të thuhej së pari dhe së dyti (!). Do të duhej Politika, pasi Drejtësia është e nënkuptueshme dhe prezente me vetë Republikën. Por në këtë vend, përderisa nuk është vendosur ky rend pushtetesh, përderisa nuk është ligji në fuqi veprimi i barasvlefshëm për Kryeministrin dhe tezgaxhiun apo policin, atëherë politika vrastare ia ka dalë ta mbajë barbare drejtësinë.
Këtë ekuacion jetik për shtetin normal, nuk mund ta zgjidhë as politika anormale, as shteti anormal dhe sidomos drejtësia e pasunarëve që kanë nënshtrim dhe vetëbindje nënshtruese si lolo të makutshëm.
Reforma në drejtësi, sipas kalendarit të premtuar në emër të shumicës së majtë nga Kryeministri Rama, ka për të ngjarë në vjeshtë. Këtë pohim e rikonfirmon edhe për kolegun britanik të DW, Tim Sebastian, në emisionin “Conflict Zone” ku shton: ”Drejtësia është çështja jonë ende e hapur. Dhe unë ua kam thënë gjithmonë bashkëqytetarëve të mi: Nëse ne nuk jemi në gjendje të kemi një drejtësi dinjitoze për vendin, nuk do të jemi kurrë në gjendje të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian”.
Në brendi të këtij premtimi qëndron absurdi dhe paradoksi i shndërrimit në realitet të reformës. Si mund të reformohet drejtësia në një parlament ku molepsja dhe biografitë kriminale po zbulohen përditshmërish si ata leshterikët që dalin nga fundi i detit?! A e dinë ligjvënësit se në këto kushte drejtësia nuk mund të reformohet dhe se pretendimi bëhet qesharak? Kjo është alibia e pakapërcyeshme antireformë e drejtësisë së sotme! Që të mund të realizohet diçka e tillë është njësoj si të besosh te gjakftohtësia vendosëse e Gjin Gjonit, në cilësinë e anëtarit të KLD-së, për akuzatorin e tij të paradokohshëm, gjykatësin Malaj, por që sot befas po e akuzojnë për mungesë transparence të ardhurash!
Kjo kastë politike që nuk u bë dot kurrë klasë, pretendimin për reformimin e drejtësisë e ka shembur që në nisje. Aq më tepër që në skenën e vet ka bërë dhe vijon të lartësojë çdo ditë “mullarin” e skandaleve dhe përlyerjeve në hajdutëri dhe bëma kleftësh pa “din e imam”. Për shkak dhe arsye kaq madhore, reformën e drejtësisë në këtë vend nuk mund ta presim as nga Kryeministri Rama, por kurrsesi nga i shumakuzuari Ilir Meta dhe aq më tepër, nga Lulzim Basha, që sillet si një konviktor politik në selinë zyrtare të opozitës. Nëse aleatët dhe sidomos institucionet e BE-së, kanë një qëllim dhe sidomos ndërgjegje serioze për këtë vis të periferishëm të kontinentit, së paku le të na i marrin tutorisht sovranitetin e drejtësisë sonë dhe të na nxjerrin nga kultura e sjelljes fisnore dhe parashoqërore me shtetin dhe shtyllat e tij funksionale! Na ka munguar dhe nuk ia dalim dot ta vetëbëjmë. Na duhet që ta bëjmë, por kurrsesi mos marrim më kohë për të pakryerën … Ata dhe Ne … që dot nuk e kemi bërë!
Top Channel