Përçarjet brenda BDI-së dhe largimi i zyrtarëve të lartë nga kjo parti dëshmojnë se politika e këtij subjekti nuk ka dhënë rezultate edhe pas 12 vite në pushtet.
Kështu vlerëson kryetari i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi, i cili thekson se pas zgjedhjeve të ardhshme partia e Ali Ahmetit duhet të kalojë në opozitë.
“Përfundimisht, edhe nga brenda konstatohet se ajo politikë nuk ka sukses, ajo strukturë nuk ka sukses, ai program dhe ajo ide janë të gjykuara që të jenë të pasuksesshme. E kam thënë edhe më parë, po e them edhe tani. Zoti Ahmeti tha se do të fitojë, më herët kam thënë se fitoret e tij janë të papërdorshme sepse nuk kemi rezultate. Siç thotë populli, i keqi nuk fiton asnjëherë, i miri fiton ndonjëherë. Mendoj se dëmet e brendshme partiake tek BDI do të shihen dhe nuk do të mund të kalojnë aq lehtë”, deklaroi Thaçi.
Për shkak të pakënaqësisë nga politikat e lidershipit, deputeti Zylfi Adili ditë më parë paralajmëroi largimin e tij nga BDI-ja dhe formimin e një subjekti të ri, që sipas të gjitha gjasave do të drejtohet nga Gëzim Ostreni, bartës i funksioneve të larta në partinë e Ali Ahmetit.
“Kur telashe dhe ndarje të këtilla të ndodhin në pushtet, ky është një sinjal se nuk vlen më dhe se nuk shkon diçka brenda. Unë do të mundohem të kultivoj opinionin se forca politike që ka qenë në qeverisje për 12 vjet duhet të zhvendoset në opozitë e jo të baltoset fyhet, apo diçka tjetër”, nënvizoi Thaçi.
Duke folur për zgjedhjet e parakohshme të vitit të ardhshëm, ai tha se pret që komuniteti ndërkombëtar të garantojë një proces korrekt.
Ai u shpreh i gatshëm për bashkëpunim dhe u zotua se nëse PDSH-ja fiton në zgjedhjet e ardhshme, në ekipin që do të përfaqësojë shqiptarët në qeveri do të ketë vend për të gjitha subjektet opozitare shqiptare.
Top Channel