OSHEE, 550 mijë dollarë investime për rrjetin e shpërndarjes në Tiranë

23/09/2015 11:35

OSHEE do të investojë në rrjetin e shpërndarjes në qytetin e Tiranës. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE-së, Adrian Çela, kanë inspektuar zonën e Tiranës ku do të nisë investimi për ndërtimin e rrjetit të ri.

“Investimet këtë vit po vazhdojnë në të gjithë Shqipërinë dhe është një fond gati prej 5 miliard lekësh, pra afërsisht 50 milion dollarë, të cilat po investohen nga korporata për përmirësimin e infrastrukturës energjetike përsa i përket shpërndarjes. Mesazhi është shumë i thjeshtë, shumë i qartë dhe besoj i kuptueshëm për të gjithë qytetarët. Kontributi i tyre, pagesat që janë shtuar, ulja e humbjeve po përkthehet ne investime dhe sjell siguri më të madhe për sistemin tonë energjetik, tarifa më të qëndrueshme të energjisë elektrike dhe e bën vendin më të sigurtë nga pikëpamja energjetike. Këto politika po përkthehen gjithmonë në dobi të qytetarëve”, tha ministri Gjiknuri.

“Investimet vetëm për Tiranën qytet, për këtë vit parashikohen të arrijnë në 240 milion lekë. Ato synojnë vendosjen e një rrjeti të ri, dhe kthimin e linjave 6/10 kV në 20kV, me linja moderne dhe cilësore, kabina, transformatorë të rinj. Aktualisht po ndërtohet edhe në zonat rreth Rruga Ura – Shkozë, Don Bosko, Siri Kodra. Pritet të nisë këto ditë një tjetër investim i rëndësishëm, ku pas 10 vitesh, Qytetit Studenti do ti vendosen transformatorë të rinj, si dhe pajisje moderne për kabinat. Pa përmendur investimin e 200 milion lekë të reja investim që u bë në nënstacionin e mbas hoteli Tiranës, si dhe investimet që janë në pjesën tjetër rurale të qytetit”, bëri të ditur Adrian Çela, administratori i OSHEE-së.

Ky investim kap vlerën e 550 mijë dollarëve dhe do të shtrihet nga Selia deri në zonën pranë shkollës “Vasil Shanto”, duke shkuar më tej në rrugën e Kavajës, duke sjellë cilësinë e furnizimit për 15 mijë konsumatorë. Punimet nisin në shtator dhe afati i përfundimit të tyre është tre muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA