Për energjinë dhe dëshirën e madhe të tij për futbollin, prindërit nuk kishin dyshuar kurrë. Por, familja Toçilla, nga fshati i largët i Shishtavecit në Kukës, nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë, që djali i tyre 9-vjeçar, Xhekmedini, është një talent në këtë sport.
Dhe mbase nuk do ta zbulonin kurrë, nëse gjatë qëndrimit të disa muajve më parë si azilantë në Gjermani, nuk do të ishte pikasur rastësisht nga trajneri i një klubi futbolli për fëmijë.
“Në kamp nuk luanim. Shumë pak. Ndërsa kur u futëm në shtëpi, u futa në futboll pas dy ditësh dhe aty kuptova se di të luaj futboll. Meqë u futa në futboll do të doja të rrija ende atje. Që prej atëherë nuk kam luajtur më futboll dhe më ka marrë malli të luaj”.
Talenti i Xhekut ka qenë surprizë veçanërisht për të atin, Përparimin.
“Djali thjesht ka luajtur këtu me kalamajtë e lagjes, në këtë oborr të vogël që shihni. Nuk ka ditur kush, se çfarë talenti ka pasur djali. Shkuam rastësisht atje. Atje më thoshte djali gjithmonë, që donte të luante futboll. Pasi na nxorën nga kampi në shtëpi, vajta dhe e regjistrova me tim vëlla në një skuadër futbolli. Trajneri e futi menjëherë si sulmues qendre. Kur e pyeta përse e futi menjëherë në këtë pozicion, u përgjigj se ai ishte zanati i tij dhe nga sa shihte ai, djali duhej të rrinte sulmues qendre”, thotë Përparimi.
Ai i thotë me krenari arritjet e të birit, brenda një kohe shumë të shkurtër.
“Duke organizuar turne, atje arriti të luante vetëm dy herë në dy ndeshje, brenda atyre 3 muajve. Ato herë që luati i dhanë dy medalje”, thotë më tej Përparimi.
Lënia në mes e një ëndrre nuk ka qenë e lehtë për 9-vjeçarin.
“Momenti i largimit ishte jashtëzakonisht shumë i keq për të. Trajneri atje bëri të gjitha përpjekjet, por vetëm me Merkelin i mbeti të fliste në telefon që të na mbante. Pastaj më kërkuan t’ua lija djalin atje, por nuk mund t’ua besoja 9-vjeçarin vetëm atje në Gjermani”, tregon i ati, i cili normalisht duhej të largohej nga vendi ku kërkonte strehim si azilant.
Për kryefamiljarin, emigrant prej vitesh në Itali, marrja e një vendimi për të provuar fatin si azilant në Gjermani ka qenë më së shumti si një veprim bixhozi.
“Duke parë që po rrugëtonin jo qindra, por mijëra emigrantë të tjerë, vendosa të iki dhe unë. Po e kërkonin të gjithë, ta kërkoja dhe unë. Të gjithë flisnin mirë, por me të vërtetë ishte mirë”, rrëfen i ati.
Eksperienca në kamp për të dhe familjen ka qenë e mirë.
“Ai që është në kamp, pavarësisht se çfarë flasin lart e poshtë, ha, pi dhe fle shumë mirë. Nuk po flasim për gjëra luksi, sepse ishim në kamp atje nuk ishim në hotel. Në shtëpi, një person i vetëm i moshës mbi 15 vjeç merr 350 euro asistencë në muaj. Për familjarët unë merrja 1200 euro në muaj”, shprehet Përparimi.
Për mamanë e Xhekmedinit, Valmirën, momentet më emocionuese kanë qenë ato të largimit.
“Komshinjtë na kanë takuar tre herë në ditë, kanë qarë si fëmijë kur ne jemi larguar. Jeta jonë atje do të kishte qenë shumë më e mirë se këtu”, shprehet Valmira.
Pavarësisht kthimit, Përparimi do ta kishte provuar sërish të njëjtën eksperiencë.
“Për Zotin po. Sigurisht që do ta provoja edhe një herë së paku për fëmijët”.
Top Channel