“Diploma”, një provim 200 Euro

23/09/2015 15:40

Policia ka zbardhur skemën sesi shiteshin diplomat në Universitetin e Elbasanit. Uniformat blu njoftuan se kanë përfunduar me sukses operacionin e koduar “Diplomat” duke çuar në pranga shtetasin, Altin Cenolli, 37 vjeç, me detyrë drejtues i Ujësjellës-Kanalizimeve në Elbasan.

Ky person akuzohet për veprat penalë të korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike kryer në bashkëpunim. Është arrestuar edhe shoferi i tij 22-vjeçar, Jani Muslli, po me të njëjtën akuzë, si dhe shtetasi Gazment Laloshi, administrator i firmës “Sara Event” në Elbasan.

Me vendim gjykate është dhënë masa “detyrim paraqitjeje” për shtetasen me inicialet A.Gj., 36 vjeç, pedagoge në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” dhe shtetases me inicialet R.T., 38 vjeç, pedagoge në këtë universitet. Me urdhër të Prokurorit u ndalua pedagogia Manjola Tavanxhi, 31 vjeç.

Sipas policisë, arrestimi dhe ndalimi i gjithë këtyre personave u bë në funksion të procedimit penal të veprave të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim.

Shtetasi Altin Cenolli dhe Gazment Laloshi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndërhyrë tek pedagogët e Universitetit të Elbasanit, Fakulteti Ekonomik, Manjola Tavanxhi, A.Gj., dhe R.T., për të marrë nota kaluese në disa lëndë dhe për të siguruar kredite të mjaftueshme për provimin e diplomës për shtetasin Jani Muslli, i cili ishte student në këtë fakultet, duke paguar për çdo provim nga 200 Euro.

Këto fakte dolën ndërsa personat e mësipërm ishin në përgjim për një çështje penale që ka të bëjë me abuzimet dhe shpërdorimet në Ujësjellësin e Elbasanit. Një ditë më parë, Prokuroria e Elbasanit deklaroi se drejtori akuzohej për korrupsion në procesin e punimeve të ujësjellës-kanalizimeve si dhe në procesin e pajisjeve me matësa të rinj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA