Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i ka ftuar qytetarët të informohen në mënyrë të drejtë me përmbajtjen e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, që nga viti 2013 e këtej, para se të nënshkruajnë peticionin e partive opozitare në Kosovë.
Ai nuk ka përmendur emra të subjekteve, por ka lënë të kuptohet se deputetët e AAK-së dhe ata të Nismës për Kosovën e kanë votuar marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në 2013-n.
“Qytetarët duhet të informohen në lidhje me atë çfarë përmbajnë këto dokumente, kush i votoi ato në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe kush nuk mori pjesë fare në votim, edhe pse ishte i pranishëm”, ka shkruar Mustafa, në llogarinë e tij në Facebook.
Sipas Mustafës, është ironike që ata, të cilët votuan ligjin për ratifikimin e marrëveshjes, të kundërshtojnë marrëveshjet dhe të bashkorganizojnë peticion, madje dhe të kërkojnë nënshkrime nga qytetarët që të mos zbatohet ligji.
“Çështja tjetër është se, a është dashur të krijohet Asociacioni apo jo? Ai nuk do të ndodhte sikur të arrinim të integronim me kohë serbët e Kosovës dhe sikur, për fajin tonë por edhe të disave prej bashkësisë ndërkombëtare, të mos mbetej e ndarë pjesa veriore e vendit nën ndikimin e plotë të Serbisë. Tashmë kjo është zgjidhja që përkrahet nga miqtë tanë, të cilët na ndihmuan ta çlirojmë vendin, të shpallim Pavarësinë dhe të ndërtojmë shtetin e pavarur”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Top Channel