Mosparaqitja e kryeministrit Isa Mustafa, për të raportuar para deputetëve për 4 marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë, ka shtyrë deputetët e opozitës të bllokojnë punimet e Kuvendit, duke pamundësuar vazhdimin e seancës plenare.
Reagimi i deputetëve opozitarë erdhi kur shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri lexoi letrën, që Mustafa ua kishte dërguar deputetëve, ku kishte kërkuar që raportimi të shtyhet për më 22 shtator, ditë kur në Kosovë do të jetë edhe zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, i cili këtë të enjte ndodhej në Britaninë e Madhe.
Përveç Thaçit, në seancën e së enjtes nuk ishte as kryeparlamentari, Kadri Veseli, i cili në kohën e seancës po mbante një ligjëratë në Universitetin Publik të Gjilanit.
Përfaqësuesit e opozitës e quajtën kryeministrin Mustafa frikacak, ndërsa thanë se nuk do të lejojnë mbajtjen e seancave, pa raportuar Mustafa për marrëveshjet me Serbinë.
“Tema e radhës tashmë ka qenë raportimi nga kryeministri Mustafa për marrëveshjet e nënshkruara së fundi. Kuptohet, ai ka vlerësuar të mos vijë për një arsye, ose një tjetër. E rëndësishme është se ai ka qenë në këtë objekt, në Kuvend, sepse ne e pamë në mëngjes së bashku me kolegë të tjerë. Kjo nënkupton se diçka është duke na u fshehur dhe besoj po i vjen erë mjaftueshëm kësaj pune”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.
“Vetë Isa Mustafa ka kërkuar debat për Zajednicën, kurse tashmë po fshihet pas Hashim Thaçit, i cili nuk ndodhet këtu, por ndodhet në Londër. Unë di që, logjikisht dhe mbi bazën e hierarkisë, zëvendëskryeministri mund të mos mundet të japë llogari pa praninë e kryeministrit, por jo anasjelltas, kryeministri të mos mundet të flasë pa zëvendësin e tij. Si grupe parlamentare opozitare, ne do ta pamundësojmë vazhdimin e mëtejshëm të seancës, nëse kryeministri nuk vjen për t’u ballafaquar me ne për marrëveshjet me Serbinë”, tha Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes.
Pas këtyre deklaratave, kryesuesi i seancës kërkoi një pushim prej 10 minutash, me shpresën se deputetët e opozitës do të lejonin mbajtjen e seancës, por ata nuk u tërhoqën nga foltorja.
Top Channel