Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës së Veriut, këtë të enjte ka dëshmuar Gani Mikullovci, i cili është dëshmitari i fundit i Prokurorisë në gjykimin kundër udhëheqësit serb të veriut, Oliver Ivanoviç dhe 4 të akuzuarve të tjerë për krime lufte ndaj shqiptarëve.
Mikullovci ka rrëfyer para trupit gjykues përjetimet e tij, natën e 3 shkurtit të vitit 2000, teksa ishte në banesën e tij në veri të Mitrovicës.
Ai tha se, atë natë kritike gjendej në banesë, së bashku me bashkëshorten dhe djalin, kur rreth orës 21:00 është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm në afërsi të ndërtesës së tyre, e vetëm pas pak minutash janë mbledhur më shumë se 200 serbë.
Më pas, ai tregoi se ishte i pranishëm, kur u plagos dhe më pas ndërroi jetë Muharrem Sokoli, njëri nga viktimat e 3 shkurtit të vitit 2000.
Në lidhje me të akuzuarin Oliver Ivanoviç, dëshmitari bëri të ditur se e kishte njohur mirë edhe para luftës, dhe se nuk e kishte parë gjatë natës në fjalë, të konsideruar si kritike.
Mirëpo, kur prokurori pyeti dëshmitarin, nëse ka qenë në dijeni për grupin e ashtuquajtur “rojat e urës”, dëshmitari ka rrëfyer për pushtetin që Ivanoviç kishte gjatë asaj kohe mbi këto roje.
Ai tregoi një rast personal, kur nuk ishte lejuar të kalonte urën e Ibrit në vitin 2000, ndërsa kur e kishte parë Ivanoviçi, ky i fundit u kishte thënë rojeve të urës që ta lejonin Mikullovcin, të kalonte në pjesën veriore.
Me dëshmitë e Mikullovcit përfunduan edhe dëshmitarët e prokurorisë, ndërsa në seancën e radhës, më 6 tetor, është vendosur të merren në pyetje dëshmitarët e palës mbrojtëse.
Avokati i Oliver Ivanoviçit, pasi ka dëgjuar dëshminë e Mikullovcit, tha se faktet e paraqitura nuk përbëjnë dëshmi për Prokurorinë.
“Dëshmitari ka qenë i sinqertë dhe nuk ka dashur të spekulojë në lidhje me atë, që ai mendon dhe beson. Pas dëgjimit të këtij dëshmitari dhe, duke pasur parasysh se lista e Prokurorisë pothuajse është shterur në tërësi, është mëse e qartë se prokurori i shtetit nuk ka asnjë fakt të mjaftueshëm, për akuzën me të cilën ka ngarkuar Ivanoviçin dhe serbët e tjerë nga Mitrovica”, tha Nebojsha Vllajiç, avokat i Oliver Ivanoviç.
Në këtë proces gjyqësor, Oliver Ivanoviç akuzohet për krime lufte, pasi – sipas aktakuzës, – urdhëroi vrasjen e shqiptarëve në Mitrovicë më 14 prill 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, kur ai supozohet se ka qenë udhëheqës i një njësie policore paraushtarake.
Ai akuzohet gjithashtu, së bashku me dikë tjetër, për nxitje të vrasjes së shqiptarëve gjatë trazirave, që shpërthyen pas luftës më 3 shkurt 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Të pandehurit e tjerë; Dragolub Delibashiç, Aleksandar Lazoviç, Ilija e Nebojsa Vujaçiç, që janë babë e bir; gjithashtu përballen me akuza për vrasje dhe tentativë vrasjeje të shqiptarëve.
Top Channel