Dekriminalizimi është kryefjalë e politikës së këtyre ditëve, por edhe e medias. Qeveria prezantoi përmes ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, draftin e saj.
Zonja Felaj ishte e ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në Top Channel, e cila foli për pikat kryesore të draftit të paraqitur nga Qeveria. Ndërsa për sa i përket Komisionit të Dekriminalizimit, ministrja tha se ai “de facto” ka marrë fund. Sipas saj, fundin e këtij komisioni e ka shënuar vetë opozita.
***
Pandi Gjata: Interes të madh për publikun, por edhe për median ngjalli drafti i paraqitur nga Qeveria. Do të doja shkurtimisht se cilat janë pikat kryesore në kuadër të dekriminalizimit?
Ermonela Felaj: Projektligji lidhet me të ashtuquajturin dekriminalizim, por në fakt projektligji ynë nuk kishte se si ta përmbante këtë term sepse për fat të keq paragjykon të gjithë shoqërinë dhe ne nuk jemi dakord që t’i vëmë këtë lloj stigme shoqërisë sonë. Projektligji ynë titullohet ‘Për Legjitimitetin e Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë funksione publike’.
Pandi Gjata: Është më e moderuar kjo e juaja…
Ermonela Felaj: Jo, është korrekte me atë çfarë duam dhe kërkojmë të arrijmë nëpërmjet këtij ligji. Kush është qëllimi i këtij projekti? Të dyja palët janë përpjekur që secila të bëjë të vetën në këtë drejtim, por për fat të keq deri më sot më shumë është shënuar retorikë se sa një përpjekje konkrete. Ne jemi për transparencën e qeverisjes dhe pikërisht për këtë shkak ne sollëm këtë projektligj, i cili mbi të gjitha synon të rrisë besimin e publikut dhe tek të zgjedhurit, qofshin këtë përfaqësues në rang kombëtar apo lokal.
Pandi Gjata: Cilët të zgjedhur i penalizon ky draft?
Ermonela Felaj: Kjo është një kategori shumë e gjerë, duke nisur që nga ata që përbëjnë kupolën më të lartë shtetërore dhe zbret deri poshtë te çdo nivel i administratës publike. Çdo funksion që zgjidhet nëpërmjet zgjedhjeve në Kuvend, çdo funksion tek i cili ti emërohesh, janë funksione tek të cilat nuk mund të hysh pa u bërë më parë verifikimi i raporteve të tua në të shkuarën me ligjin. Ju do të thoni se pse kjo nuk ka ndodhur deri më sot. Por deri sot ne kemi qenë korrekt me ligjin sepse Kushtetuta e parashikon që vetëm personat e dënuar nuk mund të marrin një post të caktuar dhe të jesh i dënuar sipas ligjit do të thotë të kesh në ngarkim një vendim gjyqësor të formës së prerë. Përveç kësaj ne kemi edhe një Institut, i parashikuar në Kushtetutë dhe në të Drejtën Penale, që është e drejta e rehabilitimit. Ky projektligj i mban parasysh të gjitha këto parashikime, sa kushtetuese aq edhe ligjore, përpiqet të ruajë balancën duke mos cenuar parimet e rëndësishme. Kështu që ne nuk mund të ndërtojmë projekte, cilat do qofshin ato, që mund të jenë në kundërshtim me parime të tilla universale e themelore.
Pandi Gjata: Çfarë nuk shkonte në draftin e Partisë Demokratike?
Ermonela Felaj: Ka shumë gjëra që ndryshojnë nga drafti i paraqitur nga Qeveria dhe nga ai i paraqitur nga opozita javën e shkuar në Kuvend. Ndryshimi i parë është që në titull, siç e thash edhe më lartë. E dyta ka të bëjë me përdorimin e fjalës “rekorde kriminale”, i cili është një term abuziv, askund i përcaktuar dhe një term i cili nëse do të lejohej të përdorej do të përfshinte edhe raste për shembull të shoqërimeve në polici. Por a është e njëjtë kjo me dënimin? Natyrisht që jo. Kështu që le t’i përmbahemi termave që janë të përcaktuar qartësisht se çfarë nënkuptojnë. Nga ana tjetër, unë besoj që ky projekt, por edhe ai i PD-së janë mbështetur në modele të njohura ndërkombëtare. Një nga këta modele është ai italian, i njohur ndryshe si ligji “Severino”, i cili është miratuar në 2012-ën dhe ka filluar të zbatohet në vitet më pas. Ky është një reflektim i të gjithë asaj praktike që ka ndodhur në Itali, që ka implikuar të gjithë politikën atje dhe natyrisht që ne nuk kishim se si të mos e merrnim në konsideratë këtë përvojë. Nëse do t’ju them për Qeverinë, mund t’ju pohojë që ne kemi qenë në vijimësi të interesuar për këtë çështje. Për këtë arsye, së bashku me Kryeministrin kemi pasur një takim me hartuesin e këtij ligji, takim i zhvilluar gjatë korrikut, ku kemi diskutuar mbi të gjitha ato pikëpyetje që shumë shpesh i dëgjojmë të debatohen midis nesh. Nga ana tjetër, nuk jemi konsultuar vetëm me ligjin italian, por edhe me modele të tjera. Kemi parë një sërë kushtetutash të vendeve të ndryshme për të parë se si ato e kanë reflektuar ne legjislacionin e tyre këtë problematik.
Pandi Gjata: A jeni të hapur për propozime të opozitës për t’i futur në këtë draft të Qeverisë?
Ermonela Felaj: Që në krye të herës, ne kemi treguar që jemi të gatshëm të ballafaqojmë çdo qëndrim tonin me ato të opozitës, në mënyrë që ky projekt të jetë sa më konsensual. Por në rast se opozita nuk do të dojë të japë konsensus, kjo nuk do të thotë se ne nuk do ta miratojmë këtë projekt sepse koha që ka kaluar deri tani ka treguar se opozita nuk ka qene e gatshme të japë konsensus për këtë. U krijua një komision i posaçëm mbas një rezolute që palët ranë dakord të nënshkruajnë në nëntor të vitit që shkoi, por ky komision deri para pak ditësh kishte zhvilluar vetëm dy mbledhje, nuk solli asnjë projekt të gatshëm edhe pse kishte detyrim për ta bërë këtë.
Pandi Gjata: A e ka mbyllur kapitullin Komisioni i Dekriminalizimit për sa kohë nuk solli një draft për këtë çështje?
Ermonela Felaj: Ky komision ‘de facto’ ka marrë fund. Fundin e këtij komisioni e ka shënuar opozita. Në 4 shtator, kur u çel edhe sesioni i ri Parlamentar, në konferencën e kryetarëve na është bërë me dije për dy drafte të depozituara nga opozita, të cilët janë paraqitur si iniciativë të një të pestës së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Nga ky moment, çështja që u shtrua për diskutim përfaqësuesve të opozitës në këtë konferencë ishte kjo: Ju tani, me këtë veprim që bëtë ja kërkoni Parlamentit që të vendosë mbi këto dy iniciativa ligjore. Për ligjet me natyrë kushtetuese si Kushtetuta dhe rregullorja parashikojnë një procedurë krejt të veçantë shqyrtimi që nuk është as e ngjashme dhe as e njëjtë me atë që ne jemi mësuar zakonisht të shohim dhe që ndodh në Kuvendin e Shqipërisë. Në momentin që paraqitet një iniciativë kushtetuese zhvillohet një mbledhje e përbashkët e Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit për Rregulloren dhe Legjislacion, që drejtohet nga kryetari i Kuvendit. Kryetari i Kuvendit kërkon që secila palë të caktojë relatorët e vetë dhe më pas secila palë ka të drejtën të thërrasë të gjithë ekspertët që ato çmojnë se janë të nevojshëm të pyeten mbi çështjen. Më tej, raporti që përpunon kjo mbledhje e përbashkët, mbas gjithë këtyre seancave dëgjimore, i shkon Kuvendit të Shqipërisë. Kjo është procedura e ndjekur, e gjitha është në sytë e publikut. Madje i rezervohet edhe një kohë sepse nga momenti që depozitohet iniciativa kushtetuese, ajo nuk mund të vihet në lëvizje për t’u shqyrtuar pa kaluar dy javë. Ky është pikërisht rregulli që e mbyll veprimtarinë e këtij komisioni, për të mos thënë se me punën e bërë deri më sot ky komision ka bërë thjesht dhe vetëm propagandë. Nuk ka asnjë vlerë, nëse vazhdojmë punën në atë komision do të humbasim kohë në mënyrë të vetëdijshme. Pse? Sepse do të vendosim këtu diçka dhe më pas do të shkojmë të ky komisioni tjetër, ku në fakt janë të njëjtit njerëz që do të vendosin për të bërë ndryshime në Kushtetutë. Por a do të mund të vendosin dot ata për një gjë që prek parimet Kushtetuese? Nuk do të mund ta bënin, do t’i riktheheshim edhe një herë këtyre ndryshimeve.
Pandi Gjata: A e keni diskutuar me ndërkombëtarët këtë draft?
Ermonela Felaj: Unë e thash edhe më parë se për linjat e që do të ndiqte ky projekt ne jemi konsultuar jo thjesht me ndërkombëtarët, por me hartues të ligjeve të ngjashme.
Pandi Gjata: E keni ju si mazhorancë koston që do të sjellë miratimi i këtij ligji?
Ermonela Felaj: Çdo kosto që ne do të kishin është e pallogaritshme me përfitimin që do të kishte publiku. Nëse njerëzit do të dinin se kush do të ishin përfaqësuesit e tyre dhe çfarë raportesh kanë pasur ata në të shkuarën e tyre, natyrisht që niveli i besimit tek ata nuk do të ishte ky që është aktualisht. Në respekt të publikut ne po paraqesim këtë draft.
Pandi Gjata: A kemi një afat se kur do të miratohet ligji dhe se kur do të hyjë në fuqi?
Ermonela Felaj: Projekti i Qeverisë do të shoqërohet nga një projekt për ndryshime kushtetuese, që në fakt e paraqesin 28 deputetë të mazhorancës dhe natyrisht që do të ndjekë të gjitha rregullat e parashikuara nga rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë.
Pandi Gjata: Me gjasa do ta kemi të miratuar brenda dhjetorit…
Ermonela Felaj: Edhe më shpejt, pasi nuk kemi arsye pse të vonohemi më tepër.
Top Channel