Rikthimi i një marinsi në “Nëndetësen 105”

16/09/2015 18:10

Të gjithë e mbajnë mend nëndetësen e famshme 105, te filmi “Ballë për ballë”. Ndryshe nga skenari i Kinostudios, jeta e një oficeri në det ka pasur shumë vështirësi, jo vetëm për faktin që jetonte me disiplinë ushtarake të rreptë, por sepse detyroheshe të qëndronte larg familjes.

Marinela Shehaj është vajza e një detari të vjetër. Prej 20 vitesh, babai i saj Neim Shehaj ka shërbyer në bazën ushtarake të Pashalimanit, në nëndetësen “Tufani”, ose siç njihet ndryshe “Nëndetësja 105”.

“Më kujtohet se kur isha e vogël, kur vinte babi gjëja e parë që i merrja ishte kapelja. Më pëlqente ta shihja të gjithin të veshur me të bardha, por kapelja ishte e para që i merrja. Që atëherë mendoja se ky do të ishte edhe profesioni im, por gjërat nuk rrodhën kështu. U desh të ndryshoja mendim, sepse rrugët e mia ishin të ndryshme nga ato të tim ati. Fakti që im atë ka qenë i angazhuar në këtë profesion, ka pasur gjëra të mira dhe të këqija. Të mira, sepse që të vegjël jemi mësuar t’ia dalim vetë për shumë gjëra, sepse babai mungonte shpesh. Këtu duhet t’ia dimë për faleminderit edhe mamit, që shpesh ka bërë veç rolit të nënës edhe atë të babait njëkohësisht”, tha Marinela Shehaj, e bija e Neimit.

Vajza ka vendosur t’i bëjë një vizitë të atit në vendin e punës. Çdo gjë atje e bën nostalgjike dhe e rikthen në kujtimet e fëmijërisë.

“Shpesh herë e takonim me shumë mall kur vinte, ose gjëja që më ngelte peng shpeshherë ka qenë nata e Vitit të Ri, të cilën e kalonim dhe e festonim pa babain. Gjëja më e bukur që më kujtohet është kur erdhi në shtëpi në datën 1, duke më sjellë dhuratë, një lepur të vogël. Kam nostalgji për rrëfenjat e babait, qoftë për çfarë tregonte ashtu edhe nga mënyra si i tregonte. Kjo ka qenë diçka që na tërhiqte gjithmonë. Diçka që doja të theksoja ka qenë momenti kur prisje një vendim të merrej nga babi, shpesh na rrihte zemra jashtëzakonisht, sepse do ishte ose miratim, ose refuzim, por pa kthim mbrapsht”, shprehet më tej Marinela Shehaj.

Edhe pse në pamje të parë Neimi duket i ashpër, fytyra e detarit zbutet sapo sheh të bijën. I kanë mbetur peng orët e gjata pa familjen, por thotë se këtë e ka kompensuar me shokët e Marinës.

“Bashkëshortja ishte e detyruar që t’u përshtatej kushteve të mia, sepse puna ime që bëja me pasion nuk kishte orar. Kemi punuar edhe 15 ditë rresht gjatë pranverës kur bënim spiranca në det, ose në gjirin e Vlorës, ose atë të Borshit, në poligone që ishin të përcaktuara për qëndrimin e nëndetëses. Kemi bërë lundrime edhe ditën, edhe natën. Para viteve ’90, nëndetësja i kishte të gjitha kushtet. Edhe mungesa e familjarëve nuk ndihej, sepse ta siguronte shteti. Bashkëshorten e punësonte, ndërsa për fëmijët t’i siguronte në kopësht apo çerdhe. Ishim të privilegjuar në njëfarë mënyre. Familjarët rrinin pranë, pjesa më e madhe në qytetin e Orikumit ose në Vlorë. Në rast kushtrimi duhej të vije me minuta, me anë të makinave të gatshme që të sillnin shumë shpejt. Kurse beqarët rrinin në repart. Mungesa gjithmonë ndihej, por ajo kalonte me anë të shoqërisë me bashkëmoshatarë apo edhe më të rinj. Kjo punë ishte e tillë, që nuk mund të bëje pas”, thotë Neim Shehaj.

Së fundmi, nëndetësja është restauruar, duke u kthyer në dëshmi të flotës detare të dikurshme, ndërsa 3 nëndetëset e tjera nuk kanë pasur të njëjtin fat.

“Kjo nëndetëse kishte autonominë 30 ditë për lundrim. Ka një gjatësi, nga jashtë 76 metra, kurse trupi kryesor ka një gjatësi 67 metra së brendshmi. Është e ndarë në 7 lokale, secila prej tyre ishte e pajisur me efektivë dhe postat luftarake, siç u referohemi ne në gjuhën detare. Një efektiv marinar ka pasur 36 veta, kurse kuadro kanë qenë 13 oficerë prej të cilëve komandanti, zëvendësi, komisari dhe 4 inxhinierë”, tha Neim Shehaj.

Ai di me saktësi funksionin e çdo pajisjeje, që nga mbushja e silurëve e deri te ndryshimi i kursit, që u bë i famshëm në film.

Sot shumë njerëz kanë treguar interes për ture në nëndetësen muze, e cila u bë e famshme nga ekranizimi i romanit të Ismail Kadaresë, “Dimri i vetmisë së madhe”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA