8 muaj më parë, ai fitoi zgjedhjet parlamentare të Greqisë, duke shkaktuar një shok të përgjithshëm thuajse në të gjithë Europën, por edhe më gjerë.

Në atë kohë, udhëheqësi i Syrizas, Alexis Tsipras deklaroi se do ta shpëtonte vendin helen përmes dhënies fund të masave shtrënguese, si dhe të ndryshonte rrënjësisht marrëdhëniet e vendit të tij me pjesën tjetër të Bashkimit Europian, në Bruksel.

Por, nuk kaloi shumë dhe, në përfundim, ai u detyrua të nënshkruante një tjetër marrëveshje ndihme me rregulla tepër strikte të kërkuara ndaj Greqisë, si dhe duke shtuar vitet e gjata të reformave dhe masave shtrënguese ndaj popullit grek.

Tashmë ai po i kërkon popullit të tij t’i besojnë sërish qeverisjen e vendit, të paktën edhe për një tjetër mandat, në këto zgjedhje të parakohshme të cilat i thirri duke dhënë dorëheqjen, me synimin për të përforcuar radhët e tij në krye të vendit.

E megjithatë, i gjithë ky ndryshim kursi, bën që të lindë pyetja: a është Alexis Tsipras një i majtë dogmatik, apo një pragmatist europian?

Në një intervistë për “Euroneës”, ish-kryeministri i Greqisë është shprehur gjerësisht mbi dramën intensive që ai vetë, Greqia por edhe Europa përjetuan gjatë këtyre muajve të fundit.

I pyetur se, përse duhet që populli grek t’i besojë sërish atij, në një kohë që nuk mbajti premtimin kryesor me të cilin erdhi në pushtet gjatë janarit të 2015-s, për shkak se nuk i eliminoi masat shtrënguese, Tsipras është shprehur se “7 muaj më parë ne i premtuam popullit grek se do të luftonim me gjithçka mundeshim kundër masave shtrënguese, e ju siguroj se u nxorrëm shumë vështirësi huadhënësve. Ne e dimë se i përkasim Europës, por teksa do të synojmë të ndryshojmë diçka në të, do të luftojmë edhe në mbrojtje të të drejtave të popullit tonë. Edhe Europa duhet të ndryshojë drejtim. Ne e mbajtëm këtë premtim, e populli grek na mbështet për këtë”.

Më tej, duke qëndruar sërish te marrëveshja e nënshkruar me huadhënësit, shton:

“Tashmë kemi atë marrëveshje, që ju e quajtët si marrëveshje strikte për shpëtim, por e dinim që në fillim se çdo kompromis që do të bënim do të përfundonte me nënshkrimin e një marrëveshjeje. Synimi ynë ishte të siguronim një marrëveshje dhe jo të dilnim nga Eurozona, për të përmbushur atë term ‘grexit’ që qarkulloi prej një kohe të gjatë. Tashmë, për herë të parë është folur edhe për lehtësime të borxhit shtetëror grek, gjë që me siguri duhet të bëhet duke filluar që pas rishikimit të parë”, ka deklaruar ndër të tjera Alexis Tsipras.

Top Channel