Vërshimi i emigrantëve drejt Gjermanisë vazhdon me të njëjtin ritëm të pandalshëm, e vetëm të shtunën, në Mynih raportohet të kenë mbërritur 12 mijë vetë.
Autoritetet lokale kanë paralajmëruar se qyteti është në limitet e tij, kur vjen fjala te pritja e të ardhurve. “Kemi arritur në maksimumin e kapacitetit – deklaroi një zëdhënës i policisë, – ndërsa po bëhen përpjekje frenetike për sistemimin e refugjatëve të valës së fundit”, u shpreh ai.
Europa është e gjitha nën ethet e një situate, me të cilën nuk ishte përballur prej dekadash. Por Mynihu, në landin jugor të Bavarisë, është kthyer në portën hyrëse të emigrantëve, që kanë mësyrë Gjermaninë me shpresën e një jete më të mirë, e praktikisht fluksin e të ardhurve nuk po e përballon dot më.
“Do duhen 1000 deri në 5000 vende akomodimi”, tha kryebashkiaku Dieter Reiter, për “Sueddeutsche Zeitung”. “Autoritetet atje po mendojnë të përdorin si strehë të përkohshme stadiumin e sporteve, të përdorur për Lojërat Olimpike të 1972-shit, Olympiahalle”.
Dieter përsëriti gjithashtu thirrjet për rajonet e tjera gjermane, që të pranojnë më shumë emigrantë. Situata e ngarkuar në vend shtyu Kancelaren Angela Merkel të mbrojë vendimin e saj, për të lejuar hyrjen e një numri kaq të madh refugjatësh, duke argumentuar se “është krejtësisht e bindur, që kjo ishte gjëja më e drejtë për t’u bërë”.
Kriza e refugjatëve po nxjerr edhe një problem tjetër për bllokun. Për shkak të situatës së paprecedentë, shpenzimet e vendeve të BE-së mund të shkojnë në miliarda euro. Për këtë arsye, ministrat e Financave po shqyrtojnë mundësinë e zbutjes së rregullave të borxhit, të parashikuara në “Paktin e Stabilitetit”.
Ideja është të lehtësohen kushtet për vendet e prekura, veçanërisht për shkak të kostove të tyre për pritjen e refugjatëve, çfarë do t’u krijonte shteteve më shumë liri veprimi për të arritur objektivat e tyre buxhetore afatmesme.
Sipas “Paktit të Stabilitetit”, borxhi i përgjithshëm i një vendi të Eurozonës nuk duhet të kalojë 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe deficiti aktual nuk duhet ta tejkalojë nivelin e 3 për qind të GDP-së.
Top Channel