Maqedoni, bllokohet zgjedhja e prokurorit special

13/09/2015 14:15

Kriza politike në Maqedoni rrezikon të thellohet edhe më tej. Marrëveshja e arritur në mes pozitës dhe opozitës për daljen nga kriza, parashikon që deri të martën e 15 shtatorit duhet të zgjidhet prokurori special.

Prokurori do të merret me hetimin e vërtetësisë së akuzave për korrupsion dhe krim, të cilat janë ngritur nga opozita pas publikimit të bisedave të përgjuara telefonike.

Përderisa opozita maqedonase kërkon që prokurori special dhe ekipi i tij të ketë autonomi të plotë gjatë hetimit, VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Gruevski nuk pajtohet me faktin që prokurori të ketë edhe një ekip me prokurorë të tjerë, të cilët do ta ndihmojnë gjatë hetimit.

Shumica e analistëve politikë, vlerësojnë se partitë politike në Maqedoni nuk kanë as vullnet, as potencial politik të arrijnë marrëveshje.

Ata theksojnë se Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët janë të dyshuar për korrupsion dhe krime të rënda, i intereson vetëm vetvetja e jo Maqedonia dhe e ardhmja e vendit.

Top Channel