Në kulmin e fushatës zgjedhore dhe me sondazhet që flasin për një “derbi” të vërtetë midis partive politike grekë se kush do të qeverisë vendin mbas datës 20 shtator, këto të fundit kanë kthyer sytë tek votat e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe tashmë kanë marrë shtetësinë greke.

Partia pretendente për fitore, Syriza, gjatë një takimi me një përfaqësi të emigrantëve që jetojnë në Greqi, kërkoi mbështetjen e komunitetit shqiptar dhe atij homogjen në ndihmë të së majtës greke.

Sipas Jorgos Tsipras, sekretar i përgjithshëm për çështjet ekonomike në Ministrinë e Jashtme greke, prania e emigrantëve në jetën politike të vendit është një realitet që u bë i mundur prej së majtës helene.

Jo shumë kohë më parë ka qenë pikërisht qeveria e Syrizës që mundësoi kalimin në Parlament të ligjit për dhënien e shtetësisë për brezin e dytë të emigrantëve, si dhe një mundësi më shumë për pajisjen me leje qëndrimi për mijëra bashkatdhetarë në këtë vend.

“Ishte një takim midis Syrizës, shoqatave shqiptare dhe përfaqësisë së tyre që jeton këtu. Këto takime ndihmojnë dhe duhen bërë shpesh jo vetëm në fushatë zgjedhore. Kemi nevojë t’i zgjidhim çështjet që ndajnë dy vendet tona, sepse jemi fqinj, jemi partnerë në nisma të përbashkëta europiane dhe rajonale dhe si rrjedhojë na intereson t’i zgjidhim. Kemi nevojë që të forcohen lidhjet mes dy popujve, mes Greqisë dhe Shqipërisë, por edhe më gjerë. Ndaj kemi interes të jemi në kontakte jo vetëm ekonomike por edhe kulturore e politike mes dy vendeve”, ka deklaruar Jorgos Tsipras.

Ndërsa Edmond Guri, kryetari i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi, thotë se takimi midis përfaqësisë së emigrantëve dhe politikës vendase tregon se tashmë shqiptarët kanë një shkallë të lartë integrimi. Ata janë pjesë integrale e jetës së vendit dhe si rrjedhojë është e natyrshme që ata të vlerësohen nga partitë politike greke.

“Qëllimi i këtij takimi ishte përcjellja e problemeve të komunitetit shqiptar këtu, ku ne kishim artikuluar një sërë problematikash që na shqetësojnë. Paraqitëm me shkrim kërkesat tona, të cilat u dëgjuan dhe presim që një pjesë e tyre të marrë rrugën e zgjidhjes”, ka thënë Guri.

Ai ka shtuar se, ishte një bisedë shumë produktive, pasi u prekën edhe tema më të gjera si çështjet kombëtare, si dhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“U fol gjithashtu për çështjen e integrimit të mëtejshëm të emigrantëve që jetojnë këtu, për çështjen e pensioneve, e cila tashmë ka marrë rrugën e saj, etj”, ka vijuar Guri.

“Ne ftojmë gjithë shqiptarët që të marrin pjesë në votime, të votojnë të lirë dhe të jenë pjesë aktive e jetës politike të këtij vendi”, tha më tej Jorgos Tsipras.

Në zgjedhjet e 20 shtatorit do të kenë të drejtë vote rreth 150 mijë emigrantë shqiptarë, ose homogjenë me origjinë shqiptare. Disa parti të majta greke kanë në listat e tyre kandidatë me origjinë shqiptare, ku spikasin emrat e Ina Panajotit dhe Adriatik Arifit tek PASOK.

Top Channel