Nishani pret Jahjagën, diskutohen marrëveshja me Serbinë dhe Presheva

10/09/2015 12:05

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Tiranë, me ftesë të homologut Nishani.

Pas takimit kokë më kokë, të dy krerët e shteteve dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, nga ku Presidenti Bujar Nishani u shpreh se, “dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka prodhuar energji pozitive për rajonin”.

Bashkëpunimi rajonal, krijimi i tregjeve pa barriera, përfshi shtimin e shkëmbimeve kulturore – tha Nishani, – ishin çështjet e biseduara. Presidenti Nishani shprehu optimizëm për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ashtu si qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, shumë shpejtë edhe qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në zonën e ‘Schengen’-it, ashtu siç e meritojnë plotësisht. Jemi të ndërgjegjshëm për vështirësitë që po kalojnë vendet e Bashkimit Europian në përballjen me valën e emigrantëve nga vendet në konflikt. Por kjo nuk duhet të zbehë aspak vullnetin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për përfshirjen edhe të qytetarëve të Kosovës, në regjimin e lëvizjes pa viza në vendet e ‘Schengen’-it”, u shpreh kreu i shtetit shqiptar, Bujar Nishani.

Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidentja Jahjaga falënderoi të gjitha institucionet shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme, por theksoi se sfida më e madhe mbetet forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Tashmë ka ardhur koha që ne të punojmë më shumë, të ndihmojmë më shumë njëri-tjetrin, të forcojmë më shumë ekonomitë tona dhe njëherazi edhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik në rajon. Të dy shtetet tona kanë dëshmuar se bashkëpunimi në rajon është jo vetëm domosdoshmëri, për rrugët tona drejt Bashkimit Europian, por është një garantues i zhvillimit të shoqërive tona. Gjithashtu, edhe i sigurisë, i paqes dhe qëndrueshmërisë jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë”, u shpreh Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Mbetemi të shqetësuar – deklaroi Presidenti Nishani, – për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, pasi ka vetëm premtime nga Serbia për të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon. Gjatë qëndrimit në Tiranë, Presidentja Jahjaga u prit edhe nga kryeparlamentari Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA