Informaliteti, Rama në Lezhë: Vendosje e barazisë në aktivitetin tregtar

10/09/2015 14:00

Kryeministri Edi Rama ka ndjekur në qytetin e Lezhës operacionin kundër informalitetit, duke vizituar disa njësi tregtare, ndërkohë që grupet e punës të tatimeve po kryenin verifikime. Disa prej tregtarëve të këtij qyteti për këtë operacion dhanë këto komente.

“Duhet të jemi të gjithë njëlloj dhe jo ne të paguajmë dhe të tjerët jo. Jam shumë e kënaqur që po arrin edhe Shqipëria si vendet e tjera”, thotë një tregtare.

“I paguaj të gjitha taksat shtetit dhe kjo është shumë e mirë, që të jemi të gjithë të barabartë. Është iniciativa më e mirë dhe të përgëzoj”, shprehet një tjetër tregtar.

Si vendosje të barazisë në ushtrimin e aktivitetit tregtar. Kështu e quajti Rama prerjen e kuponit tatimor.

“Më mirë të gjithë të barabartë, sesa disa me kuponë dhe disa me dorën në xhepin e tjetrit”, tha kryeministri Rama.

Por ky pronar i një bar-kafeje i tha kryeministrit se çmimi i kasave fiskale mbetet i lartë.

“Ne kemi bërë një ndërhyrje dhe çmimi i kasave do të bjerë nga 330 në 279 euro dhe pjesa tjetër, ajo e mirëmbajtjes do të jetë një shkurtim drastik. Praktikisht, vijmë në çmimet që janë më të ulëtat që ka edhe në rajon”, i tha kreu i qeverisë.

Të dhënat që vinë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për periudhën nga data 1 deri më 6 shtator të 2015, krahasuar me 1 deri 6 shtator të 2014, kuponat kanë shkuar nga 3.9 milionë, në 6.2 milionë dhe vlera e tatueshme ka arritur nga 68 milionë dollarë, në 82 milionë dollarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA