OKB lëshon alarmin për gjendjen e refugjatëve në Lesbos të Greqisë

08/09/2015 09:35

Agjencia e OKB-së për Refugjatët ka dërguar staf shtesë për t’u ardhur në ndihmë autoriteteve greke në ishullin e Lesbos, të cilat po përballen me valën e lartë të refugjatëve.

Sipas raportimeve online të BBC, UNHCR ka dërguar edhe disa anije që do të shërbejnë si qendra strehimi për rreth 25 mijë emigrantët që ndodhen atje.

Ndërkohë, një fushë e vjetër futbolli është kthyer gjithashtu në një kamp pritjeje.

Ndihmat nga Kombet e Bashkuara kanë ardhur pasi ministri grek i Emigracionit, Yannis Mouzalas deklaroi dje se, situata në ishullin e Lesbos ishte “në prag të shpërthimit”.

Ndërkohë, gjatë orëve të natës, njësi të policisë dhe rojës bregdetare helene u përleshën me një grup prej rreth 2.500 refugjatësh që u ngritën për të arritur në një nga anijet strehuese.

Ishulli i Lesbos është i tejmbushur nga emigrantët, të cilët vijnë kryesisht nga Siria, Iraku e vende të tjera të përfshira nga lufta.

Ndërkohë, në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë, qindra refugjatë të tjerë çanë kordonin e policisë hungareze dhe u nisën në këmbë drejt Budapestit, me synimin për të arritur më pas vendet e BE-së.

Trazira u verifikuan edhe në një qendër pritëse në lokalitetin Roszke, ku refugjatët hodhën gurë ndaj forcave të rendit, që u përgjigjën me spraj djegës.

Sikurse Greqia, edhe Hungaria është e tejmbushur me mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika, të cilët synojnë të arrijnë Gjermaninë dhe vende të tjera të BE-së për të kërkuar azil.

Ministri hungarez i Mbrojtjes, Csaba Hende habiti edhe kolegët e tij kur dha dorëheqjen ditën e hënë, një lëvizje kjo e interpretuar si e lidhur me problemet e krijuara me ndërtimin e gardhit kufitar, që synon të mbajë larg emigrantët, por që deri tani nuk ka dhënë asnjë efekt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA