Eksodi nga Ballkani, çfarë po ndodh në kufijtë e rajonit tonë

08/09/2015 14:35

Që kur Maqedonia shpalli gjendjen e emergjencës në zonat e saj kufitare në fund të gushtit, “rruga e Ballkanit” është bërë e famshme.

Gati 3.000 refugjatë, shumica nga Lindja e Mesme, mbërrijnë çdo ditë në këtë vend dhe një numër i ngjashëm njerëzish kalon kufirin serb për në Hungari, me shpresën se do të mbërrijnë në tokën gjermane.

Vëmendja është fokusuar tashmë tek ky fluks njerëzor, duke errësuar ndërkohë një tjetër eksod të rëndësishëm, jo nëpërmjet Ballkanit, por nga vetë shtetet e tij.

Muajt e parë të 2015-s, Gjermania pati pothuajse 200.000 kërkesa për azil, ku më shumë se katër në 10 aplikantë ishin nga Ballkani perëndimor.

Rreth 30.000 prej këtyre njerëzve vinin nga Shqipëria, e gati po kaq është edhe dhe numri i azilkërkesueve nga Kosova. I vetmi vend me më shumë aplikantë rezulton Siria.

Përgjatë gjithë 2014-s, nga Shqipëria ishin paraqitur vetëm 8.000 kërkesa për azil. Korrespondenti i BBC për Ballkanin, Guy Delauney, përpiqet të shpjegojë përsenë e këtij fenomeni.

“Si Kosova, ashtu dhe Shqipëria ndajnë të njëjtët faktorë, popullsi të vogla, shumicë etnike shqiptare dhe mbi të gjitha, perspektivë të ulët ekonomike. Kjo e fundit është forca shtytëse drejt Gjermanisë”, thotë Delauney.

Pas një sondazhi të zhvilluar nga janari në shkurt, dega e OJQ-së gjermane Friedrich Ebert Foundation në Prishtinë zbuloi se pothuajse të gjithë ata që braktisnin kryeqytetin kosovar, nxitjen e merrnin nga situata e zymtë ekonomike dhe ushqenin shpresa se do të punësoheshin në Gjermani.

Gjendjen në Shqipëri, për Delauney, e rëndon kthimi i mijëra vetëve që humbën vendet e punës në Greqi e Itali për shkak të krizës financiare. Këta njerëz, sqaron ai, e kanë të pamundur të pranojnë rrogën mesatare prej 350 eurosh në vend, të cilën e shohin si tepër të ulët.

Sidoqoftë, edhe pse shumica e kërkesave për azil janë të destinuara të refuzohen, do të duhet pothuajse një vit përpara se shumë personave të mbërritur atje t’u kërkohet të largohen.

Top Channel