“Shqipëria Tjetër”, shkatërrimi i qytetit antik të Olimpias

07/09/2015 20:50

Rruga përmes Labërisë bëhet gjithmonë e më e gjatë si pasojë e degradimit të pandalur të saj. Duhet të udhëtojmë jo më shumë se 16-17 kilometra nga qyteti i Vlorës, që duken megjithatë një pafundësi, detyruar nga gropat e shumta. Gjithçka bëhet edhe më e vështirë pas kthesës që të ngjit sipërmi në fshatin Mavrovë.

Dikur ky fshat ka patur mëse 300 familje, ndërsa sot ato kanë mbetur jo më shumë se 50. Fati ka qenë i njëjtë me shumë zona të tjera afër apo larg qyteteve të mëdha, si pasojë e një infrastrukture të rrënuar. Mungesë shprese, harrese e për pasojë një derdhje e banorëve sa më larg vendit të tyre. E megjithatë pas këtyre imazheve të përsëritura, të shikuara e rishikuara shpeshmi, Mavrova ka një histori më të hershme, më të thellë, që i gjen rrënjët e saj që në antikitet.

Zona e lumit të Vlorës fsheh elementë të shumtë të trashëgimisë kulturore dhe asaj historike. Mes vendndodhjeve të shumta arkeologjike, një pjesë e të cilave janë lënë krejtësisht mënjanë, edhe qyteti antik i Olimpias. Shumica nuk e njohin, ndërsa një pjesë kanë dëgjuar veç me fjalë për historinë e këtij qytetërimi të lashtë ilir.

Pas faktit se ky qytet është shpallur monumentet kulture që në vitin 1973, një tabelë e “lodhur” është gjurma e dytë apo prekja e vetme që ai ka marrë në këto 25 vite. Përtej saj nis një udhëtim edhe më i dhimbshëm… një udhëtim mes shkatërrimit.

Emri identifikues i qytetit ju dha pas zbulimit nga ana e arkeologut Burhan Dutaj, diku rreth vitit 1960, të një grupi monedhash që kishin të shkruar mbishkrimin Olimpiastan: Shumë arkeologë e studiues mendojnë se emrin e ka marrë nga vajza e mbretit Pirro të Epirit. Teze kjo që u hodh nga arkeologu Hasan Ceka e që më pas u ndoq edhe nga të tjerë. Fillimet e jetës qytetare të Olimpias i përkasin shekujve të VI dhe të V para Krishtit, ndërsa zhvillimin më të madh e ka patur në vitet 229 – 148 para Krishtit, siç pohon edhe historiani Ilirjan Gjika, që shkruan edhe për prerjen e monedhave në këtë periudhe e që përdoreshin brenda ekonomisë së këtij qyteti. Mungesa e informacionit nga autorët antikë që thuajse heshtin për të e bën edhe më mistike historinë e tij. Ndoshta është e vetmja lidhëz e të shkuarës me të tashmën, heshtje dikur, por heshtje edhe sot.

“Ajo është e shkatërruar dhe nuk besoj që do të ringrihet sepse kanë ardhur shumë, kanë pyetur dhe si përfundim nuk kanë bërë asgjë, prandaj jam i zhgënjyer”, shprehet Ibrahim Beja, një tjetër banor.

Është e vështirë të bësh një bilanc të dëmtimeve sepse është e pamundur të gjesh qoftë edhe një copëz të tij ku të mos ketë të tilla.

Nëse i ka mbijetuar shekujve, i ka mbijetuar betejave të ndryshme, ndryshimeve të vrullshme historike, kjo qytezë duket sot e dorëzuar, nën pushtetin apo nën rrethimin e ferrave. Muret e jashtëzakonshëm, të punuar në mënyrë po aq të jashtëzakonshme, që sot dergjen në këtë gjendje. Ajo që mund të themi është se, nëse sot kemi mundur të trashëgojmë këta elementë të trashëgimisë kulturore dhe historike, në këtë gjendje, në këtë situatë, apo me këtë mungesë tërësore të mirëmbajtjes, fati i tyre nuk do të jetë i gjatë.

Lirimi, një nga pak djemtë që ende nuk është larguar nga Mavrova, tregon jo thjesht sesi erozioni po rrëmben muret, por edhe sesi objekte të ndryshme dalin kudo në sipërfaqe. Pa gërmuar sepse ato janë kudo. Ka veç një problem, askush nuk kujdeset të vijë e të gërmojë, apo edhe më thjesht t’i mbledhë e t’i vlerësojë.

“Kjo monedhë që unë e kam, e që është shumëvjeçare, mendohet se është përdorur gjatë qytetërimit të Olimpias, siç quhet edhe vendi dhe kalaja këtu”, deklaron Lirim Likaj, banor.

Sigurisht edhe për ne është e vështirë të identifikojmë vlerën e kësaj monedhe, por është po aq e lehtë që me një kërkim të thjeshtë t’i gjejmë identitetin. Ajo është monedhë ilire, që siç shkruan arkeologu dhe historiani Moikom Zeqo i përket periudhës së mbretit të fuqishëm, Ilir Monun. Një monedhë Ilire që mund të pasohet nga shumë të tilla, ashtu siç shumë objekte të tjera që sot dergjen nën dhe.

Madhësia e shtëpive të vjetra të këtij fshati, tregon për pozitën e lartë të dikurshme të banorëve të tij. I gjithi është ngritur mbi qytet, është interesante të shikosh shkrirjen e gurtë e aq të natyrshme e që do ta bënte ndryshe nga ç’është sot, një vend tërheqës për turistët.

“Ju e shikuar edhe vetë atje poshtë, e gjithë kjo hapësira është kala, pra ky fshat është i ndërtuar mbi kala”, shprehet një tjetër banor, Pajtim Hoxha.

Sigurisht, në këtë vend jo vetëm nuk mund të flasësh për ndonjë investim të monumenteve të kulturës, por as edhe për ndonjë tjetër që do t’u garantonte një jetesë të denjë të mbeturve. Dikur fshati ka patur shëndetësi, ka patur arsim, ujë, ka patur një kala, ose më mirë qëndronte ngritur mbi një qytet antik vlerë-shumë, sot ka vetëm dëshirë për largim, ka pamundësi, ka shumë dhe asgjë.

“Po të kishte rrugë, ujë dhe gjërat e tjera mund të ishte ndryshe, por mungesa e këtyre detyroi njerëzit që të iknin”, thotë Surija Nelaj, banor.

Do të mjaftonte një projekt i denjë, për t’i rikthyer jetën, për të ruajtur identitetin, për t’i dhënë një mundësi këtyre banorëve të gjejnë të ardhmen e tyre, këtu, në këtë vend, në këtë qytet ku jetonin dikur Ilirët e ku duhet të vazhdojnë të jetojnë banorët e Labërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA