Kryeministri Edi Rama e ka nisur javën me një takim në selinë e PS me disa ministra për rreth 60 minuta. Në takim ishte edhe deputeti Kokëdhima.
Në selinë e PS i pari ka mbërritur kreu i grupit parlamentar Ruçi e më pas ministrat Bushati, Klosi, Tahiri, kolegia e tyre Nikolla dhe deputeti Kokëdhima. Që të gjithë të mandatuar nga Rama për t’u vënë në krye të 6 rajoneve me misionin e fuqizimit të strukturave lokale, përfshi përgatitjet për kongresin e ardhshëm. Mungonte koordinatori për qarkun e Elbasanit e Korçës, Taulant Balla. I fundit nga takimi ka dalë kryesocialisti Edi Rama.
Ndërkohë që Rama nuk dha shumë detaje, Top Channel ka mësuar se ky ishte takimi i parë me drejtuesit e rajoneve. Një burim nga mbledhja pohoi se qëllimi i takimit ishte koordinativ dhe organizativ. Rama ka kërkuar nga drejtuesit e rajoneve të zbresin në terren dhe të nisin takimet me bazën.
Pasi ka lënë selinë e PS-së, kryeministri Edi Rama i është drejtuar kryesisë së Kuvendit për t’u takuar me kryeparlamentrin Meta.
Ky ishte takimi parë pas pushimeve të verës që zhvillojnë dy aleatët. Bashkëbisedimi Rama-Meta ka zgjatur 50 minuta. Vijimin e të tilla takimeve të përjavshme Rama i paralajmëroi dy javë më parë në një intervistë për Top Channel, duke shuar kështu të gjitha aludimet mediatike të verës për ftohje të marrëdhënieve mes aleatëve të majtë të koalicionit qeverisës.
Top Channel