Xhaçka: Prenga ka humbur çdo të drejtë morale të jetë pjesë e Partisë Socialiste

05/09/2015 14:15

Ngjarja e rëndë e ndodhur në Laç ka sjellë reagimin e fortë dhe të menjëhershëm të Partisë Socialiste. Përmes një deklarate zyrtare, Partia Socialiste paralajmëroi përjashtimin nga radhët e saj të deputetit të përfshirë në ngjarjen e Laçit, Armando Prenga, duke nënvizuar edhe faktin se pavarësisht pozitës së tij, deputeti tashmë duhet të përballet edhe me drejtësinë.

“PS dënon me forcën më të madhe sjelljen dhe veprimet e ngjarjes në Laç. PS nuk është strehë ku mund të gjejë mbrojtje ai që shkel ligjin. Kjo jo vetëm është e qartë për çdo deputet, por çdo deputet duhet ta ketë të qartë se pushteti i të paprekshëmve që kishte ngritur Sali Berisha ka vdekur bashkë me largimin e tij nga pushteti. Si shkelës i normave, deputeti Prenga ka humbur të drejtën morale për të qenë pjesë e PS, ndërsa duhet të japë llogari para drejtësisë”, ka deklaruar deputetja Olta Xhaçka.

Në mbyllje të deklaratës për mediat, znj. Xhaçka i kërkoi prokurorisë që të mos ndalet me hetimin vetëm të ngjarjes së Laçit, por të shkojë më tej edhe me atë të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për të gjitha krimet që kanë kryer ndaj njerëzve të këtij vendi.

Top Channel