“Lajm tronditës nga Laçi”, e ka cilësuar kryetari i opozitës Lulzim Basha konfliktin e armatosur ku u përfshi deputeti i Partisë Socialiste, Armando Prenga.
“Në orët e para të mëngjesit, deputeti socialist Armando (Edmond) Prenga ka plagosur me armë zjarri katër persona të familjes Cali, brenda në ambjentet e komisariatit të policisë”, thotë Basha në reagimin e tij.
Sipas kryetarit të PD, me urdhër të Edi Ramës dhe “ministrit të tij të drogës Sajmir Tahiri”, policia ka vendosur një shtetrrethim të vërtetë tek spitali dhe ka nisur manipulimin e provave dhe deshmitarëve që të mbulojnë ngjarjen.
“Largimi i krimineleve nga Kuvendi dhe qeveria është më urgjent se kurrë”, është shprehur Basha në postimin e tij.
Për ngjarjen reagoi edhe ish-kryeministri Sali Berisha, sipas të cilit ky është një krim i shëmtuar shtetëror. Zoti Berisha e quan të tillë, sepse, sipas informacioneve që ai ka, pasi deputeti Prenga ka goditur me qytën e armës njërin prej anëtarëve të familjes Cali në pronën e tij dhe familja ka lajmëruar policinë, në oborrin e Komisariatit të Policisë anëtarët e familjes janë qëlluar me armë zjarri nga deputeti dhe grupi i tij.
Zoti Berisha kujton se Armando Prenga, një vit e gjysmë më parë goditi në Parlament deputetin e Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, me urdhër të kryeministrit Rama, që Sali Berisha e quan “kokën e krimit” në vend.
Top Channel