Në ishullin grek të Kosit, një prej vendeve kryesore ku përplaset vala e parë e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, ndaluan për pak kohë Komisioneri Europian për Refugjatët, Dimitris Avramopulos dhe zëvendës-president i Komisionit Evropian Frans Timmermans me qëllimin të shihnin situatën nga afër.
Raportet në mediat europiane tregojnë se gjendja e emigrantëve atje nuk është aspak siç mund të imagjinohet: ushqimet nuk mjaftojnë për të gjithë, njerëzit shtyhen sapo punonjësit e ndihmave fillojnë e shpërndajnë ndonjë shishe uji, nuk ka tualete e as dushe: gjithë çfarë u rezervohet jane ca tuba uji që dalin nga toka.
Vetë Avramopullos do të pohonte pas vizitës së shkurtër se për të ardhurit, kushtet jane çnjerëzore dhe se Brukseli kërkon që gjendja të ndryshojë. por më parë, duhet bindur kryetari i bashkisë së Kosit, Giorgos Kyritsis që deri më sot, e ka refuzuar me forcë ngritjen e një qendre pritjeje për refugjatët.
Frika e tij është se ngritja e një qendre të tillë mund të frikësojë turistët duke i larguar nga ishulli piktoresk. Nga ana tjetër nuk kanë munguar as incidentet e dhunshme. Në prag të vizitës së zyrtarëve nga Brukseli, neo-nazistët e Agimit të Artë sulmuan dhe rrahën refugjatë para stacionit të policisë.
Përfaqësues të organizatës se bamirësisë Metadrasi janë të bindur se tensionet i kërkon kryebashkiaku i Kosit, dhe zvarritjet në procedurën e regjistrimit nuk janë rastësore. Sipas tyre, ajo qëllimisht është organizuar shumë ngadalë për t’i mërzitur e zbrapsur refugjatët. Diskutimet tani janë përqëndruar tek mundësia e shndërrimit në kamp pritjeje të një baze të vjetër ushtarake. Paratë nuk mungojnë, sepse BE-ja ka në buxhet deri në 450 milionë euro vetëm për ndihma për refugjatët në Greqi. Por kërkesa në Bruksel mundi të bëhej vetëm pas krijimit të qeverisë provizore greke. Siç pohoi dhe vetë Avramopoulos, shpreson që shumë shpejt do të mund të alokohen 30 milionët e parë.
Top Channel